Reforma territoriale ka përplasur demokratët dhe socialistët në konferencën e organizuar Komiteti i Rajoneve të Bashkimit Europian me fokus Ballkanin Perëndimor. Ndërsa për herë të parë kjo konferencë që u mbajt në Tiranë dhe në agjendën e saj kishte diskutimin mbi reformën administrative në nivel evropian bëri bashkë dy shoqatat e bashkive që operojnë në Shqipëri, të ndara në të majta dhe të djathta, që drejtohen kryebashkiaku i Tiranës , Erion Veliaj dhe kryebashkiakja e Shkodrës, demokratja Voltana Ademi.
Në këtë konferencë deputetja e PD-së, Jorida Tabaku gjatë fjalës së saj e cilësoi si të dështuar reformën administrative të ndërmarrë nga qeveria, e cila e reduktoi numrin e njësive të qeverisjes vendore në 61 bashki.
“Reforma Territoriale, për mënyrën se si u hartua, jam e sigurt që këtu në këtë sallë ka të majtë dhe të djathtë, ka kryetarë bashkie demokratë e socialistë, të cilët bien dakord për atë që unë do të them, mënyrën se si u hartua nuk kishte në qendër qytetarin, nuk kishte në qendër shërbimet, thjesht interes elektoral. Përfundoi në një ndarje territoriale elektorale në një hartë të re elektorale të Shqipërisë. Sigurisht që ne nuk e pranuam këtë. Ne kërkuam dje dhe kërkojmë sot një reformë territoriale që nis nga kompetencat e kryetari të Bashkisë, nga kompetencat tuaja, sepse për ne ajo që është më e rëndësishme është vendosja e qytetarit në krye të shërbimit. Për ne ajo që është më e rëndësishme është dhënia e pushtetit, e kompetencave, delegimi i tyre tek pushteti vendor dhe ne për këtë kishim një ofertë konkrete, siç e kishim edhe sot një ofertë konkrete. Për asnjë moment, për asnjë sekondë në asnjë rast gjatë diskutimit të reformës territoriale, qeveria nuk kishte mirësinë të dëgjonte qoftë edhe kryetarin e opozitës që në atë kohë ishte edhe kryetar bashkie. Premtimi kryesor i Partisë Socialiste ishte premtim financiar. Të gjitha bashkitë, në 2014 shpenzonin 80 milionë euro më shumë të cilat do t’i jepeshin qytetarit me shërbime më të mira, që do të kthehej tek ata për shërbime më të mira. Por sigurisht edhe kjo ishte propagandë dhe një nga dështimet më të mëdha që kjo reformë ka prodhuar”, deklaroi Tabaku.

Në këtë konferencë Tabaku duke folur për diskriminim të bashkive të djathta nga ana e qeverisë për sa i përket projekteve dhe fondeve dha dhe opsionin e PD-së për reformën territoriale. “Tani me të drejtë ju mund të pyesni nëse PD ka një zgjidhje apo një ofertë? Padyshim! Ne ndryshe nga propaganda kemi një ide shumë të qartë. Rikonceptimi i mënyrës se si sot funksionon Pushteti Vendor dhe kthimi tek përfaqësimi i demokracisë lokale Ndërtimi i pushtetit vendor me dy nivele. Sot kemi një nivel të qeverisjes vendore, jashtë funksionit. Qarqet sot janë jashtë funksionit, i kanë zhveshur nga kompetencat e buxhetit, i kanë lënë thjeshtë si struktura amorfe të cilat nuk ushtrojnë dot asnjë funksion ndërkohë që qarqet duhej të ishin në krye dhe në zemër të kësaj reforme, dhe duhej të ishin ato që do të tërhiqnin investimet e BE-së. Për t’u bërë të gjitha zonat e Shqipërisë zona interesante, ku do të kishim një zhvillim të qëndrueshëm rajonal dhe për të vendosur qarqet në pararojë të zhvillimit ekonomik të këtyre zonave. Dhe ne këtë mendojmë. Hartimin e një strategjie për decentralizimin dhe marrjen e masave konkrete për zbatimin e saj, dhënien e përgjegjësive konkrete Pushteteve Vendore, shoqëruar kjo edhe me buxhete”, theksoi Tabaku.
Ndërsa ka ngritur si shqetësim edhe çështjen e Teatrit, duke theksuar se ky është shembulli më i mirë se si qeveria shkel me dy këmbë kompetencat lokale, shembulli më i mirë se si ka dështuar kjo reformë. “Është shembulli më i mirë se si Këshilli Bashkiak i Tiranës është zhveshur, është cunguar nga përgjegjësitë. Sepse duhej të vendose ai këshill Bashkiak për mënyrën se si duhej të rikonceptohej qyteti i Tiranës dhe jo qeveria. E quani ju një vlerësim këtë të reformës territoriale? Për mua ky është dështimi më i madh e ajo atje në qendër të Tiranës, teatri dhe njerëzit që protestojnë atje për 9 muaj me radhë janë shembulli më i mirë se si funksionon demokracia lokale dhe se si ka dështuar kjo reformë territoriale. Ajo që ne mendojmë dhe ajo që ne dëshirojmë janë bashki të afta për të konkurruar edhe bashkitë europiane; bashki me kapacitete, bashki me përgjegjësi, bashki me buxhete, me qytetarë që kanë më shumë shërbime, me pushtet lokal që është më afër qytetarëve. Ndërkohë që sot ne e kemi komplet dhe totalisht të denatyruar konceptin e pushtetit lokal dhe pushtetit vendor”, theksoi Tabaku.
Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj në fjalën e tij e vlerësoi faktin që të pranishëm në këtë takim janë është përfaqësuesit e djathtë. “Dua të përshëndes dhe koleget e opozitës që janë këtu më ne, sepse besoj se nga ky debat të gjithë dalim më të fituar. Unë e di që ne mund të kemi ideologji të ndryshme të majta ose të djathta, por besoj se të gjithë jemi praktikë kur vjen puna te menaxhimi i qyteteve, mbledhja e plehrave, autobusët që vijnë në kohë, mbjellja e pemëve, cilësia e ajrit, janë çështje pa parti. Dhe pavarësisht bindjeve tona, në fund të ditës të gjithë duam të kemi qytete funksionale, dhe takime të tilla të cilat na mësojnë sesi qytetet mund të bëhen më funksionale janë gjithmonë të mirëpritura”, deklaroi kryebashkiaku.

Ndërsa theksoi se KE duhet t’i japë fonde atyre bashkive që kanë projekte dhe që performonojnë më mirë. “Një nga bisedat që ne kemi bërë me kolegët e BE, ka ardhur koha që edhe Komisioni Europian të mbështesë direkt bashkitë që janë të afta të implementojnë dhe që mund të çojnë këto kauza përpara. Si unë si Voltana që drejtojmë dy shoqatat e bashkive marrim feedback konstant për nevojën për më shumë shkolla, kopshte, çerdhe, gjelbërim dhe kjo është një nga arsyet dhe kjo është një nga arsyet pse ne kërkojmë që edhe Komisioni Europian t’i shikojë bashkitë si një prioritet dhe partnerë në implementim. Një nga gjërat për të cilën ndjehem shumë mirë është që qytetet gjithmonë e më shumë po bëhen pjesë qendrore e axhendës evropiane. Do të thotë që qytetet kanë rëndësi”, tha ai.

Zv.kryeministrja Senida Mesi nuk ka ndarë të njëjtin mendim me opozitën, e cila e vlerësoi reformën territoriale në disa aspekte. “Organizimi i ri territorial në 61 bashki, ka kontribuar direkt në: forcimin e kapacitetit të tyre për ofrimin e shërbimeve më cilësore; rritjen e eficiencës së bashkive në menaxhimin e burimeve lokale; mbledhjen më efektive të taksave dhe tarifave dhe ofrimin e mundësive më të mira për promovimin dhe nxitjen e zhvillimin ekonomik lokal të qëndrueshëm”, theksoi Mesi.
Sipas saj, qeveria shqiptare ngelet përherë e gatshme për të bashkëpunuar me pushtetin vendor me qëllim garantimin e autonomisë së vetëqeverisjes vendore.
“Do të punojmë së bashku, për një administratë publike qendrore dhe vendore të standardeve europiane, me fokus ofrimin e shërbimeve publike cilësore ndaj qytetarëve tanë”, shprehet Mesi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




