Treg

Dhoma Gjermane e Tregtisë: Mungesa e fuqisë punëtore, rreziku më i madh për biznesin në Shqipëri

Nga Gazeta ‘Si’-Mungesa e fuqisë punëtore mbetet shqetësim për biznesin në Shqipëri, vëren Shoqata Gjermane e Industrisë dhe Tregtisë në Shqipëri, (DIHA) në rezultatet e anketimit vjetor për klimën e biznesit dhe të investimeve në Shqipëri.

Pjesa më e madhe e 44 bizneseve, anëtare të DIHA-s në Shqipëri, që morën pjesë në anketim e shohin mungesën e fuqisë punëtore si “rrezikun më të madh për biznesin”

Anketimi zbuloi edhe që “disponueshmëria e fuqisë punëtore të kualifikuar ka shënuar një rënie të dukshme gjate viteve të fundit në krahasim me vitet e kaluara kur ky faktor renditej si më pozitivi në Shqipëri”.

Kjo shpjegohet me nivelin e lartë të emigracionit gjatë viteve të fundit, që duket se ende nuk po bie, konstaton DIHA.

70% e të anketuarve do të zgjidhnin Shqipërinë për të investuar

Nga anketimi rezulton se 70 përqind e tyre iu përgjigjën pozitivisht pyetjes nëse do të zgjidhnin Shqipërinë përsëri për të investuar.

Ndër faktorët, të cilët ndikojnë në zgjedhjen e një destinacioni investimesh, janë vlerësuar më pozitivisht (ashtu si vitin e kaluar) produktiviteti dhe motivimi i punonjësve, kualifikimi i punonjësve dhe kostoja e punës.

Një ndryshim pozitiv dallohet edhe tek negociatat për anëtarësim në BE, faktor që më parë vlerësohej ndër të fundit në renditje.

Ndër faktorët e vlerësuar më negativisht vijojnë të renditen transparenca e tenderave publike, lufta kundër kriminalitetit dhe korrupsionit, siguria ligjore, aksesi në financimet shtetërore dhe të BE-së dhe parashikueshmëria e politikave ekonomike. 

Pritshmëritë për situatën ekonomike në vend vijojnë të mbeten afërsisht në të njëjtat nivele me vitin e kaluar, ku 25% e të anketuarve vlerësojnë pritshmëritë për situatën ekonomike më mirë, 45% e kompanive vlerësojnë si të “pandryshuar”, ndërsa 30% e tyre e vlerësojnë negativisht (2022: 21%, 44%, 36%).

Ambasadori gjerman në Tiranë, Peter Zingraf, vuri në dukje që “sipërmarrjet gjermane vazhdojnë të tregojnë një interes të madh për rajonin. Sa më e mirë të jetë klima e investimeve, aq më shumë do të zgjedhin Shqipërinë. Për këtë nevojitet veꞔanërisht siguri ligjore, konkurrencë e ndershme dhe rregulla transparente”, theksoi ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë