Përfundoi seanca dëgjimore në Komisionin e Pavarur të Kualifikimt për anëtarin e Gjykatës Kushtetuese, Fatmir Hoxha. KPK pritet të japë vendimin më 10 maj, nëse gjyqtari Hoxha e ka kaluar apo vetting-un, ndërkohë që vëreu se gjyqtari Fatmir Hoxha nuk justifikon një shumë prej 17 milionë lekësh nga pasuria e tij, por ka qenë bashkëpunues.
Gjyqtari Fatmir Hoxha nuk u paraqit në seancën e sotme dëgjimore, por u përfaqësua nga avokati i tij, Julian Mërtiri. Avokati sqaroi se shuma për të cilën pretendon KPK është plotësisht e justifikueshme.
“Hoxha nga viti 2011 është emëruar në Gjykatën Kushtetuese dhe për këtë qëllim është transferuar nga qyteti i Shkodrës, ku ka pasur një tjetër banesë, të cilën e ka shitur bashkë me orenditë dhe kjo shumë i përket orendive”- sqaroi avokati.
Më tej ai shtoi se subjekti për rivlerësim, gjyqtari Fatmir Hoxha ka marrë borxhe dhe kredi për të shlyer banesën në të cilën jeton sot në Tiranë.
“Është ende një borxh po shlyhet së bashku me një kredi që ai ka marrë nga shteti shqiptar dhe po e shlyen sipas kontratës përkatëse. Kredia është marrë sipas një VKM si një nga funksionarët e lartë, pasi në atë kohë ishte i pastrehë dhe vinte nga qyteti i Shkodrës. Është dhënë miratimi nga kredidhënësi është banka e nivelit të dytë e cila ka vendosur dhe bllokimin përkatës të apartamentit deri në shlyerjen e kredisë. Borxhi është marrë për të njëjtën arsye, është apartamenti dhe nuk ka pasuri tjetër dhe deri më sot është shlyer”. – tha avokati Julian Mërtiri.
Në lidhje me shumën prej 275 mijë lekë të rinj, avokati Mërtiri sqaroi se janë hedhur nga të ftuarit në ceremoninë martesore të Fatmir Hoxhës dhe kjo gjë mund të vërtetohet me kasetën e dasmës së vitit 2003.
Më herët procesit iu nënshtruan gjyqtarët Fatos Lulo, Vitore Tusha dhe Altina Xhoxhaj, deri tani vetting-un e ka kaluar me sukses vetëm gjyqtarja Vitore Tusha, ndërsa anëtari Besnik Ymeraj ka dhënë dorëheqjen.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.