Drejtësia

I akuzuar për blerje votash, Beleri del të hënën para SPAK-ut për masën e sigurisë

Gazeta Si – Kryebashkiaku i zgjedhur dhe i arrestuar i Himarës, Fredi Beleri do të dalë para Gjykatës së Posaçme, SPAK ditën e hënë në orën 13:00 për t’u njohur me masën e sigurisë edhe nga kjo gjykatë, pasi Prokurroria e Vlorës shpalli moskompetencë.

Mësohet se gjyqtare e çështjes është Atalanta Zeqiri, ndërsa do të përfaqësojë organin e akuzës (SPAK), Dorina Bejko.

Fredi Beleri qëndron prej 7 ditësh në burg, ku akuzohet për blerje votash. Ai fitoi garën për Bashkinë e Himarës me diferencë të ngushte votash.

LEXO EDHE:
– Dendias kërkon lirimin e Belerit: E duam miqësinë, por jo me çdo çmim
– Dosja ‘Beleri’, 50 euro për një votë. Si nisi hetimi për kryebashkiakun e arrestuar të Himarës

Arrestimi i Fredi Belerit erdhi 48 orë para mbajtjes së zgjedhjeve vendore të 14 majit, ku 51-vjeçari garonte përballë kandidatit të mazhorancës Jorgo Goro për Bashkinë e Himarës. Ai u prangos në lokalin që zotëron në qytetin e Himarës.

Një ditë para zgjedhjeve, Gjykata e Vlorës vendosi masën “arrest me burg” për Fredi Belerin dhe bashkëpunëtorin e tij Pandeli Kokaveshi për blerje votash.

Por kjo gjykatë shpalli moskompetencë, duke ia kaluar çështjen SPAK. Më pas, Prokuroria e Posaçme regjistroi procedimin penal për korrupsion aktiv në zgjedhje.

Ndërkohë, të enjten ministri i Jashtëm grek, Nikos Dendias, përsëriti thirrjen drejtuar autoriteteve shqiptare që të lënë të lirë Belerin, me argumentin e shkeljes së të drejtave të njeriut në rastin konkret për një nënshtetas grek. Beleri u vizitua dje në paraburgimin e Vlorës nga zv.ministri i Jashtëm grek, Theoharis Lalakos.

Dje, gjatë raportimit në komisionin e jashtëm të Senatit Amerikan të dy zyrtarëve të lartë të DASH, Derek Chollet dhe Gabriel Escobar, është diskutuar edhe për çështjen e arrestimit të Fredi Belerit.

Ka qenë kryetar i këtij komisionit, Bob Mendez, ai që ka kërkuar të mësojë në lidhje me arrestimin e kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, duke e cilësuar si shqetësues një akt të tillë të ndodhur disa ditë përpara zgjedhjeve.

Por këshilltari i lartë amerikan i DASH-it, Chollet ka reaguar duke u shprehur se për këtë çështje kanë kërkuar më tepër informacion nga ana e ambasadës amerikane në Tiranë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë