Ne rrjet

Armët, overdozat dhe aksidentet: Pse po vdesin kaq shumë të rinj amerikanë?

Një në 25 fëmijë amerikanë 5-vjeçarë, nuk do të arrijë në ditëlindjen e tyre të 40-të. Rritja e vdekjeve të të rinjve është shkaktuar nga armët, mbidozat e drogës dhe aksidentet automobilistike

Gazeta Si – Është një numër marramendës: një në 25 fëmijë pesëvjeçarë amerikanë, nuk do të arrijë në ditëlindjen e tyre të 40-të.

Kjo është një shkallë vdekjesh katër herë më e lartë se në çdo vend tjetër të pasur. Do të thotë që një çift prindërish në çdo kopsht, rrezikon ta çojë para kohe në banesën e fundit fëmijën e tyre. Ditët e fundit, “Financial Times” ka nxjerrë këto të dhëna, duke i krahasuar me ato britanike.

Është një problem amerikan. Jetëgjatësia në Amerikë ka qenë në rënie të lirë për rreth një dekadë: ajo ra në 76.1 vjet në 2021, pika më e ulët që nga viti 1996, sipas të dhënave nga Qendra Kombëtare për Statistikat Shëndetësore.

Nga viti 2019 deri në vitin 2020, ajo ra me gati dy vjet sipas Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) dhe është rënia më e keqe e regjistruar gjatë dy viteve, që nga viti 1921-1923.

Në Evropë, nga ana tjetër, jetëgjatësia në lindje në njëzet vitet e fundit është rritur gradualisht dhe është më e lartë se ajo e Shteteve të Bashkuara: në vitin 2021, ishte 80.1 vjet.

Por edhe në BE ka pasur një ngadalësim në vitin 2020, sipas të dhënave më të fundit të “Eurostat”, kryesisht për shkak të rritjes së vdekshmërisë së shkaktuar nga Covid 19.

Pritshmëritë u ulën në 23 nga 27 Shtetet Anëtare, me përjashtim të Danimarkës, Estonisë, Finlandës dhe Qipros.

Në vitin 2019, jetëgjatësia në lindje arriti në 81.3 vjet, por më pas ra në 80.4 në 2020 (9 muaj më pak) dhe në 2021 u ul më tej (3 muaj më pak se në 2020).

Në Amerikë, ndikimi i Covid është vetëm një aspekt i kësaj historie: është numri i të rinjve që vdesin, ai që bën diferencën (dhe pandemia është përgjegjëse për vetëm 2% të këtyre vdekjeve).

Shkalla e vdekshmërisë së të rinjve u rrit me 10,7 për qind nga viti 2019 në 2020 dhe me 8,3 për qind midis 2020 dhe 2021.

Fenomeni është më i theksuar tek adoleshentët, por po ashtu është rritur shkalla e vdekshmërisë midis 1 dhe 9 vjeç me 8,4 për qind nga viti 2020 në 2021.

Shkaqet janë: përhapja e armëve (vrasjet midis 10 dhe 19 vjeç janë rritur me 39% nga viti 2019 në 2020), mbidozat (dyfishuar për atë moshë), aksidentet automobilistike.

Epidemia e opioideve është një fenomen tipik amerikan, sepse në vende të tjera ka pasur kontrolle më të mëdha për abuzimet e kompanive farmaceutike.

Aksidentet automobilistike janë gjithashtu më të shpeshta, sepse ka më shumë makina dhe njerëzit udhëtojnë në distanca më të gjata.

Dhe vetëm këtë vit, ka pasur deri më tani rreth 200 të shtëna masive, duke përfshirë një në një shkollë fillore në Nashville në Tenesi nga një ish-nxënës që vrau tre djem 9-vjeçarë dhe tre të rritur.

Ish-Sekretari i Thesarit, Larry Summers, komentoi: “Është grupi më shqetësues i të dhënave të SHBA-së që kam parë në një kohë të gjatë”.

Deri më tani në vitin 2023, 15,000 amerikanë janë vrarë nga të shtënat me armë zjarri.

“Të gjitha këto statistika kanë efektin e zbehjes së ndjeshmërisë sonë ndaj asaj që po ndodh”, – shkroi Fareed Zakaria në një analizë të fundit të fenomenit në “Washington Post”, por nga ana tjetër, ai citoi edhe numrat: në Amerikë mbi 200 persona plagosen me armë zjarri në ditë, 120 janë vrarë.

Nga këta 120, 11 janë fëmijë dhe adoleshentë. Shkaku kryesor i vdekshmërisë mes fëmijëve amerikanë, sot është vdekja me armë zjarri.

Pas mesatares kombëtare, ka një histori më komplekse, sepse pabarazitë në jetëgjatësinë dhe në rrezikun e vdekjes së të rinjve, janë të ndërthurura me gjeografinë, ngjyrën e lëkurës, funksionimin e sistemit shëndetësor, arsimin dhe janë rritur në 40 vitet e fundit, sipas një studimi nga “America Inequality”.

Studimi tregon se amerikanët e lindur në qarqe të varfra, si Owsley County në Kentucky ose Union County në Florida, ku familjet kanë një pagë mesatare prej 35,000 dollarë dhe jetëgjatësia është 67 vjet (më e ulëta në vend), vdesin mesatarisht njëzet vjet më shpejt se ata që jetojnë në vende si Aspen, Kolorado ose Santa Clara, Kaliforni, ku paga mesatare e familjes është në qindra mijëra dollarë dhe njerëzit jetojnë deri në 87 vjet (më shumë se kudo tjetër në vend).

Shtetet jugore kanë jetëgjatësi më të shkurtër se shtetet veriore. Politikat shtetërore kanë rëndësi: subvencionet për të ardhurat e ulëta, zgjerimi i kujdesit shëndetësor për më të varfrit, kontrollet e armëve, parandalimi i mbidozës, aksesi i sigurt për abortin, janë të gjithë faktorë që ndikojnë në jetëgjatësi.

Afrikano-amerikanët vdesin mesatarisht 4-5 vjet më herët se të bardhët në çdo shtet. Këto pabarazi vërehen edhe tek të rinjtë: dy të tretat e të vrarëve në vrasje me armë zjarri, janë djem me ngjyrë mes moshës 10 dhe 19 vjeç.

Vdekjet nga mbidoza vitet e fundit ishin më të larta tek të miturit e bardhë, por ky ndryshim u zhduk në vitin 2020.

Edhe në Evropë, pas mesatares së BE-së, ka pabarazi të forta të lidhura me territoret. Pritshmëria më e ulët e lindjeve u regjistrua në Bullgari (71.4 vjet), Rumani (72.8 vjet) dhe Letoni (73.1 vjet).

Nëse shikojmë më pas statistikat rajonale, ato variojnë nga 85.4 vjet në Comunidad de Madrid, deri në 69.7 vjet në Severozapaden në Bullgari, një nga rajonet më të varfra në BE.

Megjithatë, sipas shifrave, krahasuar me Shtetet e Bashkuara, modeli social dhe ekonomik evropian, në përgjithësi ka funksionuar më mirë.

Politika e Bashkimit në këtë fushë synon mbrojtjen dhe përmirësimin e shëndetit, por mbi të gjitha, krahasuar me SHBA-në, garantimin e aksesit të barabartë në kujdesin shëndetësor për të gjithë qytetarët evropianë.

Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë