Bota

Zgjedhjet në Turqi/ Pjesëmarrja e lartë, me shifra rekord

Turqia ka mbajtur zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare, që po konsiderohen si votimet më të rëndësishme në historinë moderne 100-vjeçare të shtetit, votime që janë quajtur një sfidë e vështirë për Rexhep Tajip Erdogan pas 20 vitesh në pushtet.

Procesi i votimit është mbyllur rreth orës 16:00 dhe sipas ligjit turk, raportimi i çdo rezultati është i ndaluar deri në orën 21:00 me kohën lokale.

“The Guardian” shkruan se pjesëmarrja në zgjedhje ishte e lartë, me shifra rekord.

“Turqia ka një përqindje mjaft të lartë të pjesëmarrjes në përgjithësi: ishte rreth 86% në zgjedhjet e mëparshme presidenciale në 2018. Ne presim një pjesëmarrje rekord në Stamboll dhe ka gjithashtu raporte se kjo është e njëjtë në të gjithë Turqinë”, thotë Canan Kaftancıoğlu, kryetarja e Partisë CHP të Kılıçdaroğlu në Stamboll.

64 milionë njerëz me të drejtë vote kanë votuar në 190 mijë qendra votimi.

Në Turqi Janë mbi 4 mln votues për herë të parë, që të gjithë përkrahin kandidatin e opozitës, edhe pse ai është një 74-vjeçar. Gjasat janë që shkohet në balotazh, edhe pse të gjitha sondazhet e nxjerrin fitues rivalin e Erdogan, Kemal Kilicdaroglut.

Votuesit në Turqi kanë hedhur votën e tyre në një fletë votimi në të cilën ishin të përfshira gjithsej 26 parti politike. Gjysma e këtyre partive janë në garë për aleanca zgjedhore.

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan shprehu mirënjohjen për procesin e votimit demokratik të dielën dhe tha se qeveria e tij do të “vazhdojë të mbrojë vullnetin” e Turqisë derisa të numërohen të gjitha votat.

“Procesi i votimit përfundoi në një mënyrë që i ka hije demokracisë sonë, falë Zotit. Tani, si gjithmonë, është koha për t’u mbajtur fort pas kutive të votimit. Derisa rezultatet të jenë përfundimtare, ne vazhdojmë të mbrojmë vullnetin e kombit tonë!” ka shkruar ai në llogarinë e tij zyrtare në Twitter.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë