Muzike

Përfaqëson Shqipërinë në Eurovision, Albina Kelmendi: Shtetet e forta na shikojnë si konkurrentë

Nga Gazeta Si - Eurovision 2023 do të zhvillojë sot natën e dytë gjysmëfinale ku do të paraqitet edhe kënga përfaqësuese e Shqipërisë nga Albina dhe familja Kelmendi.

Kënga “Duje” do të jetë e 14-ta në garë dhe do të prezantohet sonte në gjysmëfinalen e dytë të “Eurovision” rreth orës 22:22 me orën lokale (ose në orën 21:22 në Angli).

Albina Kelmendi ka kërkuar mbështetjen e publikut sonte, duke u shprehur që ka shumë shpresë për këtë rrugëtim sepse sipas saj kënga është mirëpritur dhe shtetet e forta po e shohin si konkurrente.

LEXO EDHE:
Nata e parë e Eurovision, 10 shtetet e para që shkojnë në finale. Edhe Rita Ora në skenë

Gjatë një interviste në programin “Ditë pas Dite” nëpërmjet një lidhje Skype, këngëtarja ka treguar edhe për mirëpritjen që i është bërë këto ditë në Liverpool dhe emocionet e garës.

“Dje kemi pasur provën gjenerale të cilën do ta nxjerrim për pak kohë. Vlerësimi i BBC është me të vërtetë i mrekullueshëm. Kemi shpresa dhe shumë emocione. Koreografia dhe performanca është e thjeshtë dhe e përshtatshme me këngën për të dhënë një mesazh shumë të rëndësishëm. Në skenë do të jemi 6 anëtarë të familjes. Shqip do të flas kënga dhe kemi kombinuar skenën dhe veshjen dhe nuk na ka mbetur asnjë element tjetër. Audienca e ka perceptuar shumë mirë. Shtetet e forta na shohin si konkurrentë. Votoni këngën “Duje”, na mbështetni sepse vetëm nuk mund t’ia dalim. Unë jam e bindur se ne do të arrijmë në finale sepse kemi dëgjuar që na kanë vlerësuar shumë. Jemi të gjithë të emocionuar secili në mënyrën e tij por gjithsesi emocione pozitive. Shpresojmë të bëjmë krenar të gjithë shqiptarët”, është shprehur Albina Kelmendi.

Tekstshkruesja e këngës “Duje”, Eriona Rushiti më herët në një intervistë për Gazetën “Si” do të shpjegonte edhe risitë e këtij viti për sa i përket votimit.

Këtë vit në Eurovizion dy gjysmëfinalet janë të bazuara vetëm në votën e publikut si dhe mund të votohet online nëpërmjet faqes zyrtare të Eurovizionit, duke shmangur në këtë mënyrë juritë.

“Sivjet ka një risi në Eurovizion pasi dy netët e para gjysmëfinale janë të bazuara vetëm në votën e publikut, që do të thotë do të votohet nga shtetet pjesëmarrëse të natës në të cilën konkurrohet, pra ne që jemi në natën e dytë gjysmëfinale mund të votohemi nga shtetet që marrin pjesë në këtë natë. Një risi tjetër është që sivjet mund të votohet online nëpërmjet faqes zyrtare të Eurovizionit, dhe mund të votojë çdo individ nga e gjithë bota, nga të gjithë kontinentet dhe janë shmangur juritë. Pra kënga shkon në finale vetëm nëpërmjet votës së njerëzve, kështu që është shumë e rëndësishme hapi i parë për Shqipërinë, kalimi në finale, pasi nuk ka më juri. Sa më shumë të votohet, aq më të sigurt e kemi finalen”, do të shpjegonte kompozitorja Eriona Rushiti.

Në natën e dytë sonte më 11 maj do të performojnë: Danimarka - Reiley (“Breaking my heart”); Armenia - Brunette (“Future lover”); Rumania - Theodor Andrei (“D.G.T. (Off and on”); Estonia - ALIKA (“Bridges”); Belgjika- Gustaph (“Because of you”); Qipro - Andreë Lambrou (“Break a broken heart”); Islanda - Diljá (“Power”); Greqia - Victor Vernicos (“What they say”); Polonia - BLANKA (“Solo”); Sllovenia - Joker Out (“Carpe diem”); Gjeorgjia - Iru (“Echo”); San Marino - Piqued Jacks (“Like an animal’); Austria - Teya & Salena (“Who the hell is Edgar?”); Shqipëria - Albina & Familja Kelmendi (“Duje”); Lituania - Monika Linkyte (“Stay”); Australia - Voyager (“Promise”.)

Edhe sonte do të kalojnë në finale 10 shtete, duke iu bashkuar 10 shteteve të tjera të kualifikuara në natën e parë gjysmëfinale (Kroacia, Moldavia, Zvicra, Finlanda, Republika Çeke, Izraeli, Portugalia, Suedia, Serbia dhe Norvegjia) dhe 5 shteteve të përhershme finaliste (Spanja, Franca, Mbretëria e Bashkuar, Italia dhe Gjermania) si dhe shtetit fitues të vitit të kaluar (Ukraina) për të performuar në finalen e madhe më 13 maj.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë