Nga Luljeta Nelallari - Pjesa e parë e sezonit të parë të serialit “Prokurori” që solli në Shqipëri për xhirime edhe aktorin e njohur amerikan Danny Glover pritet që në fillim të shtatorit të shfaqet në të gjitha kinematë.
Regjisori i serialit, Fatmir Doga thotë për Gazetën "Si" se “The Prosecutor” është një serial komercial i tipit aksion thriller drama.
Sipas Dogës, Shqipëria përveç pasurisë natyrore, historike dhe kulturore ka edhe një pasuri të jashtëzakonshme dramatiko-emocionale dhe e cilëson Shqipërinë si një nga vendet më me dramacitet në botë.
“Në fakt unë erdha në Shqipëri para një viti për të filmuar një film artistik të zhanrit romancë/drama. Gjatë kësaj kohe pashë që tregu shqiptar ashtu si edhe tregjet ndërkombëtare ishte i etur për filma serial dhe fillova menjëherë nga puna për të realizuar diçka të tillë. Mendoj që Shqipëria ka një pasuri të jashtëzakonshme dramatiko-emocionale. E kam fjalën për ngjarjet e pafund ku fatkeqësisht për neve, shumica e këtyre historive kanë qenë të dhimbshme. Mund të them se mbase Shqipëria jone mund të jetë një nga vendet më me dramacitet në botë. Pasi mendova tematikën dhe detajet e tjera që duhen në këtë rast fillova menjëherë të shkruaja skenarin për sezonin e parë dhe pastaj skenarin e detajuar për episodin e parë të serialit”, shprehet regjisori Fatmir Doga për Gazetën “Si”, duke kujtuar në këtë mënyrë edhe zanafillën e serialit.
Producenti i serialit, ku pjesë e tij është edhe aktori Danny Glover me një rol joprotagonist si Ambasador i Amerikës në Shqipëri është Ylli Ujka.
“Financimi nuk mungon kur i ke e bërë të gjitha ‘detyrat e shtëpisë’. Një nga pikat e forta që të siguron financimin është prezenca e një ylli të kinemasë botërore në film. Unë këtë e kam kuptuar që kur kam ikur nga Europa dhe fillova filmin tim të parë në Kanada. Pra në prezantimin që unë i bëra zotit Ujka në lidhje me këtë projekt një ndër pikat e forta ishte edhe emri i Denny Glover si pjesëmarrës në këtë serial, kjo e shtyu zotin Ylli Ujka të aprovonte menjëherë financimin e serialit”, vijon më tej regjisori.
Regjisori rrëfen se seriali nxjerr në pah që në momentet më të errëta për shqiptarët, kanë qenë amerikanët ata që nuk i kanë lënë kurrë vetëm.
“Seriali flet për njerëz të mirë si Prokurori Mentor Lika, (që interpretohet nga aktori Klodian Hoxha), i cili në kohën kur të gjithë kolegët e tij dhe jo vetëm janë hedhur në sulm për të fituar para në forma të jashtëligjshme, ai beson akoma në shtetin ligjor. Kjo i kushton atij shumë. Si gjithmonë, amerikanët do vijnë në ndihmë, ata ua kanë ndriçuar rrugën shqiptarëve drejt demokracisë. Edhe në këtë serial është ambasadori amerikan (Denny Glover) që lufton që populli shqiptar të triumfojë mbi krimin e organizuar dhe ata që nuk ua duan të mirën shqiptarëve”, rrëfen regjisori Fatmir Doga.
Për serialin është xhiruar për 3 javë rresht dhe kryesisht filmimet janë zhvilluar në Tiranë, Krujë, Bulqizë dhe në fshatin e bukur bregdetar Vuno.
Regjisori Doga tregon edhe se si ishte për të bashkëpunimi me aktorin amerikan dhe përshtypjet e tij për Shqipërinë.
“Danny Glover qëndroi në Shqipëri 5 ditë dhe mund të them me bindje që kanë qenë ditë të paharruara për të. Ne shqiptarët shquhemi për mikpritje dhe dashuri dhe ju siguroj që produksioni dhe personalisht producenti Ylli Ujka morën masa që zoti Glover të njihej me Shqipërinë dhe shqiptarët e vërtetë. Ju tregoj që Danny Glover është përlotur në Shqipëri. ‘Vetëm prindërit e mi më kanë dhuruar kaq shumë dashuri sa më dhurojnë shqiptarët’ më tha”, rrëfen Doga.
Sipas regjisorit, ardhja e aktorëve me famë botërore të kategorisë A si Danny Glover do të thotë ndër të tjera edhe ekspozim për Shqipërinë turistike.
“Do të thotë krijim i qindra e mbase edhe mijëra vende pune për kineastët shqiptarë dhe jo vetëm. Do të thotë shumë për të gjithë shqiptarët në përgjithësi”, thotë Doga, ndërsa shton “se të jesh regjisor i aktorëve të tillë përveçse është vlerësim, është edhe privilegj edhe përgjegjësi”.
Ai përfundon duke thënë se “seriali ‘The Prosecutor” përcjell disa mesazhe, por do të na duhet t’i zbulojmë të gjithë bashkë në shtator”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.