Bota

Ukraina nën sulm, dronë, shpërthime dhe raketa ruse kundër Kievit dhe Odesës

Gazeta Si – Rusia nisi një valë sulmesh në shkallë të gjerë në Kiev dhe në mbarë Ukrainën mëngjesin e kësaj të hëne, shkaktuar shkatërrime dhe persona të plagosur.

Të paktën pesë persona u plagosën në sulmet në Kiev, pasi raketat ruse shkaktuan një zjarr të madh në një magazinë ushqimore në qytetin Odesa të Detit të Zi.

Shpërthime u raportuan në disa rajone të tjera të Ukrainës herët në mëngjes të së hënës.

Sipas kryebashkiakut të Kievit, Vitali Klitschko, tre persona u plagosën në lagjen “Solomyanskyi” të qytetit, ndërsa dy të tjerë u plagosën, pasi rrënojat e një droni ranë në lagjen “Sviatoshyn”, të dy në perëndim të qendrës së kryeqytetit.

Sirenat ranë për orë të tëra në dy të tretat e vendit dhe shpërthime u raportuan në rajonin jugor Kherson dhe rajonin Zaporizhia në juglindje.

Ndërkohë, forcat ruse kanë shtuar granatimet ndaj Bakhmutit, duke shpresuar ta marrin atë deri të martën, tha gjenerali i lartë ukrainas i ngarkuar për mbrojtjen e qytetit të rrethuar.

Po ashtu, mbrëmë rusët sulmuan Ukrainën me 35 dronë kamikazë të prodhuar nga Irani, të gjithë të shkatërruar nga sistemi mbrojtës ukrainas.

Kjo është bërë e ditur nga Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës me anë të një postimi në Facebook. “Në natën e 8 majit 2023, armiku sulmoi përsëri Ukrainën, duke përdorur UAV-të sulmuese Shahed të prodhuara nga Irani. Mbrojtësit tanë shkatërruan 35 nga 35 dronë”, thuhet në postim.

Sipas raporteve të mediave lokale, ka pasur edhe sulme me raketa nga anijet ruse në Detin e Zi, duke përfshirë edhe Pavlhorad në mesin e qyteteve të synuara.

Sakaq, raketat goditën qytetin e Odesës në jug të Ukrainës. Sulmi – sipas raporteve nga Komanda Operative “Jug” e ushtrisë ukrainase – u nis nga forcat ajrore.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë