Mentor Kasa – Ekziston një histori tragjikomike dhe në kufijtë e barsaletës, që qarkulloi në vitet e para të demokracisë. Ngjarjet zhvilloheshin në Myzeqe, pikërisht në atë që diktatori Enver Hoxha e quante “hambari i Shqipërisë”. Në vorbullën e protestave masive që rrëzuan regjimin edhe në këtë zonë u shkatërruan shumë gjëra. Përmasat e shkatërrimit historia në fjalë i paraqet simbolikisht.
Diku në një fshat të Myzeqesë të çliruar nga robëria e regjimit dhe me të drejtë të mbushur me mllef e urrejtje për 50 vite izolim, varfëri, përçarje, burgosje, internim e pushkatim, fshatarët dolën në arë dhe shkulën shalqinjtë që i kishin mbjellë po vetë, por jo në demokraci, por nën zgjedhën e komunizmit. Pra, u shkulën shalqinjtë “komunistë” për të mbjellë “shalqinjtë e demokracisë”.
Nëse ka ndodhur vërtet apo jo është e vështirë të verifikohet, por loja “prish e ndërto” nuk është e re në vendin tonë. Nga 1992 deri në 1997 nuk është se u ndërtua gjë, madje edhe ato pak gjëra që i mbijetuan valës së parë të shkatërrimeve u sheshuan gjatë trazirave të 1997, pa folur pastaj për kostot e mëdha njerëzore që pasuan. Kur Fatos Nano erdhi në pushtet, nuk kishte mbetur gjë më për të prishur, megjithëse ai vetë zor se e kishte mendjen për të ndërtuar.
Në 2005 erdhi Sali Berisha në pushtet dhe këtu nis loja “prish e ndërto”. Një prej vendimeve të para të qeverisë së tij në atë kohë ishte shembja e një mbikalimi ende të papërfunduar të nisur nga Bashkia e Tiranës për të ndërtuar një rrethrrotullim në Zogun e Zi. Kryebashkiak i kryeqytetit ishte Edi Rama.
Pak vite më vonë, Edi Rama do të “harronte” fatin e mbikalimit në fjalë dhe do të niste nga puna për rindërtimin e Sheshit Skënderbej. Puna u zvarrit edhe për shkak të fondeve të munguara, edhe për përplasjen me qeverinë qendrore, që kundërshtonte planin në fjalë.

Në zgjedhjet e 2011, në krye të Bashkisë së Tiranës erdhi Lulzim Basha. Me Bashën kryebashkiak plani për sheshin kryesor të shqiptarëve ndryshoi. Basha “varrosi” punimet e kryera deri në atë periudhë dhe nisi ndërtimin e një shesh të ri, megjithëse u tha në atë kohë se edhe pamja e re e sheshit do të ishte e përkohshme.
Një vit më vonë, në rrugën kryesore hyrëse të Tiranës, Sali Berisha dhe Lulzim Basha, me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë përuronin vendosjen e monumentit gjigant të “Shqiponjës”, në rrethrrotullimin që më vonë mori të njëjtin emër.

Në 2013 në pushtet erdhi Edi Rama dhe në 2015 në krye të Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj. Puna për heqjen e “sheshit të Bashës” dhe ndërtimit të një sheshi të ri, që u tha se do të ishte “dinjitoz” për Tiranën nisi brenda pak muajsh. Një pjesë e punimeve ishin kryer në kohën kur në krye të bashkisë ishte Edi Rama. Ato u shpluhurosën dhe projekti ndryshoi nga ai fillestar dhe u mbyll në 2017.

Tani, loja “prish e ndërto” u zhvendos tek sheshi “Shqiponja”. Disa ditë më parë, Ministria e Infrastrukturës bëri publik projektin e Unazës së Madhe në aksin nga Pallati me Shigjeta deri tek Sheshi “Shqiponja”. Projekti zhvendos monumentin e përuruar vetëm 6 vite më parë.
A ishte estetike apo jo ajo “Shqiponjë” në një rrethrrotullim të një rruge hyrëse për në Tiranë është një debat i ndezur. Ka nga ata që e cilësonin të bukur, të tjerë të pavend, por ka edhe nga ata që më shumë sesa monumenti “merakosen” për emërtimin me të cilin do të orientohen, sepse ta quash sheshi “Shqiponja” një vend ku së pari nuk kishte shesh, por një rrethrrotullim dhe së dyti nuk ka më as “Shqiponjë” do të jetë e vështirë.

“Shqiponja”, si simbol i Skënderbeut e shqiptarëve ndahet nga “Skënderbeu” nga një “Zog i Zi” dhe në këtë distancë prej më pak se 3 kilometrash është luajtur më fort loja ‘prish e ndërto’.

E përbashkëta mes “Shqiponjës”, “Zogut të Zi” dhe sheshit “Skënderbej” është se në të gjitha rastet diskutimi është kufizuar vetëm tek përplasja politike dhe ana estetike. Pra, debati është kufizuar tek “ajo që më duket mua e bukur, është e bukur dhe ajo që të duket ty e bukur është e shemtuar”, duke u anashkaluar pjesën më të rëndësishme: paratë. Paratë në fund janë të gjitha nga xhepat e shqiptarëve, që paguajnë disa herë për sheshe, mbikalime e nënkalime me shqiponjë e pa shqiponjë për teka të politikanëve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




