Ne rrjet

Rishi Sunak po dështon në testin e tij të parë elektoral

Partia Konservatore pësoi humbje të mëdha në testin e parë të madh elektoral të Rishi Sunak që kur u bë kryeministër vitin e kaluar.

Votuesit shkuan në kutitë e votimit të enjten për të zgjedhur përfaqësuesit lokalë në 230 këshilla anembanë Anglisë.

Nga rezultatet e deritanishme, konservatorët kanë humbur kontrollin e 10 këshillave dhe më shumë se 200 vendeve të këshillit, dhe është parashikuar që tani se mund të humbasin deri në 1000 vende

Rezultatet e zgjedhjeve lokale janë gjithmonë një tregues jo i plotë.

Votimi i së enjtes u zhvillua vetëm në disa pjesë të Anglisë – dhe pjesëmarrja ishte dukshëm më e ulët se në zgjedhjet kombëtare.

Kjo do të thotë se rezultatet, të cilat ende po llogariten deri të premten, ofrojnë vetëm një vështrim të pjesshëm të erërave të kundërta politike

Megjithatë deri më tani po bëhet një lexim i zymtë në selinë konservatore duke i dhënë një shtysë Laburistëve të cilët synojnë qeverinë, vitin e ardhshëm.

Duke folur me mbështetësit në Medway të premten në mëngjes, lideri i laburistëve Keir Starmer tha: “… ne jemi në rrugën e duhur për një shumicë laburiste në zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme”.

Sunak pranoi një natë “zhgënjyese” në disa pjesë të vendit, por këmbënguli ndërkohë se partia e tij po bënte përparim në “fushat kryesore të betejës zgjedhore”.

Gjatë natës të së enjtes, laburistët fituan kontrollin e disa prej këshillave që synonin, duke përfshirë Plymouth dhe Stoke-on-Trent dhe morën këshillin Medway nga konservatorët pas 20 vjetësh.

Të premten, konservatorët humbën kontrollin e këshillit në Welwyn Hatfield, zonë e përfaqësuar nga Sekretari për Energjinë Grant Shapps dhe Maidstone.

Laburistët pretenduan gjithashtu fitoren në East Staffordshire, që kishte qenë nën kontrollin e konservatorëve. Një zëdhënës i partisë tha se ishte “një rezultat jashtëzakonisht domethënës që konfirmon se jemi në rrugën e duhur për një qeveri të shumicës laburiste…”

Liberal Demokratët morën kontrollin e këshillit Windsor dhe Maidenhead, në zonën elektorale të ish-kryeministres Theresa May, për herë të parë në 16 vjet.

Deputetët konservatorë me të vërtetë po vëzhgojnë nga afër rezultatet lokale si shenjë se si mund të ecin në vitin 2024.

Njëri prej tyre tha se ndërsa shifrat ishin të këqija për konservatorët, ata nuk ishin “mjaft të mira as nëse ishe laburist”.

Një tjetër deputet konservator pranoi se laburistët “nuk ishin aty ku duhet të ishin” dhe se në zgjedhjet e përgjithshme fotografia do të dukej “shumë ndryshe”.

Eksperti i sondazheve John Curtice gjithashtu u përpoq të qetësonte entuziazmin e Laburistëve, edhe pse ai e bëri të qartë se kishte qenë një natë shumë e vështirë për konservatorët.

Ai tha për programin Today të BBC Radio 4: “Mesazhi i qartë i natës është me të vërtetë se konservatorët kanë ecur keq. Jo vetëm për sa i përket faktit që ata kanë humbur tashmë 200 vende, por ata mund të përfundojnë duke humbur 1000 vende deri në fund të ditës së sotme, pavarësisht shpresave të tyre se nuk do të shkonte kështu…”

Burimi: politico.eu/ Përshtati në shqip: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë