Ne rrjet

Ukraina/ SHBA po fillon të besojë në ‘përparimin kinez’: Blinken i hapur ndaj idesë për të punuar me Pekinin

Shtetet e Bashkuara kanë filluar të besojnë se Kina mund të luajë një rol paqeje dhe po vlerësojnë mundësinë e bashkëpunimit për të ndërmjetësuar mes Kievit dhe Moskës.

Që kur Xi Jinping foli më në fund me Volodymyr Zelensky dhjetë ditë më parë, ky skenar ka qarkulluar në mesin e drejtuesve të administratës së Bidenit, shkruan David Ignatius në Washington Post.

Sekretari i Shtetit Antony Blinken foli për këtë çështje në një intervistë me Ignatius.

Blinken është i bindur se kundërofensiva nga forcat ukrainase “do të jetë e suksesshme dhe do të rimarrë më shumë territor”.

Në ketë pikë, “është sigurisht e mundur që Kina të ketë ndikimin për të luajtur një rol në përpjekjet për të ndërtuar një paqe të qëndrueshme”

Shefi i politikës së jashtme të SHBA thotë se ka gjera pozitive në dokumentin 12-pikësh të Kinës të shpallur shkurtin e kaluar. Në fillim ai kishte hedhur poshtë dokumentin e Pekinit, duke argumentuar se ishte një përpjekje për të sanksionuar pushtimin rus të rajoneve lindore të Ukrainës me një armëpushim që nuk parashikonte tërheqjen e pushtuesve. Nisur nga zhvillimet e fundit, Blinken pranon se pikat e propozuara nga kinezët përmbajnë “respekt për sovranitetin, pavarësinë dhe integritetin territorial të të gjitha vendeve”, që nënkupton tërheqjen e trupave ruse. Pika të tjera të përbashkëta janë ato për “zvogëlimin e rreziqeve strategjike” dhe për “jo” për përdorimin e armëve bërthamore. Shtëpia e Bardhë konsideron se mbi këto baza mund të punohet së bashku me Kinën për të arritur një armëpushim.

Zelensky ka thënë vazhdimisht se Pekini duhet të luajë një rol ndërmjetësimi (dhe garancie).

Pas telefonatës së Xi, në raportin e publikuar në Pekin thuhej se “të gjitha palët duhet të shfrytëzojnë mundësinë për një zgjidhje politike të krizës”.

Blinken thotë se biseda mes Xi dhe Zelensky ishte pozitive, sepse udhëheqësi kinez donte të dëgjonte më në fund “pikëpamjen e viktimës dhe jo vetëm atë të agresorit”. Në Uashington, ata kanë përshtypjen se Putinit nuk i pëlqen ndërhyrja e mikut të tij Xi, por se ai nuk ka forcë të thotë në mënyrë eksplicite jo, duke qenë se Rusia është tani partneri përballë Kinës.

Ekziston një rrezik strategjik për Shtetet e Bashkuara në pranimin e ndërmjetësimit kinez, në bashkëpunimin e mundshëm Uashington-Pekin për të ulur rusët dhe ukrainasit në tryezë. Me imazhin e pastruar nga ndërhyrja paqeruajtëse së bashku me Joe Biden, Xi Jinping mund të rifillojë “tërheqjen e tij fatale” ndaj evropianëve. Pika e fundit e propozimeve kineze përmend rindërtimin e Ukrainës dhe është e qartë se Pekini ka një fuqi të madhe ekonomike për të investuar dhe për të punuar për të rivendosur infrastrukturën e shkatërruar nga lufta. Ndërmjetësimi mund të jetë gjithashtu komercialisht i dobishëm për Xi. Megjithatë Zelensky, i cili varet nga Shtetet e Bashkuara dhe Evropa për furnizimet me armë, ishte i etur të fliste me Xi dhe mendon se Kina mund të garantojë ndërmjetësimin (nuk do të jetë e lehtë sepse presidenti ukrainas ka këmbëngulur se ai nuk do të pranojë gjymtime territoriale).

Në Uashington ata janë të bindur se nevojitet realizëm dhe Kina duhet të përfshihet në përpjekjet për paqe, duke e shtyrë Xi-në të luajë liderin e përgjegjshëm, duke rifilluar dialogun midis dy superfuqive, sipas medias. Ky është mesazhi i shtypit që Blinken i dërgoi Pekinit.

Burimi: corriere.it/ Përshtati në shqip: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë