Gazeta Si - Dy prokurorë nga Britania e Madhe kanë mbërritur në Shqipëri për t’u njohur me dosjen hetimore dhe me provat që përfshijnë 4 personat e arrestuar në Angli, si të dyshuar për vrasjen e Ardian Nikulajt në Lezhë.
Sipas burimeve paraprake, hetuesit anglezë do zhvillojnë takime me drejtues të Prokurorisë së Lezhës dhe grupin hetimor në lidhje me këtë çështje.
LEXO EDHE:
- Foto, birra dhe bilardo në hotel para vrasjes së Nikulajt. Lëvizjet e britanikëve, kur erdhën dhe ku u strehuan
- Shqiptaro-britaniku, anglezi dhe portugezi: Itinerari dhe roli i grupit të vrasësve të Ardian Nikulajt në Shëngjin
- VIDEO/ Pamje të rënda! Momenti kur vritet biznesmeni në Shëngjin, autori profesionist përshëndet viktimën, afrohet dhe qëllon
Autoritetet angleze kërkojnë të njihen me provat për të vendosura më pas rreth ekstradimit të personave të arrestuar në Britani me kërkesë të Prokurorisë së Lezhës Organi i akuzës shqiptar, ka kërkuar edhe intensifikimin e kërkimeve për arrestimin e dy personave të tjerë në kërkim, të dyshuar si të përfshirë në vrasje.
Dy grupet e përbashkëta hetimore do të koordinojnë veprimet dhe më pas do vendoset nëse aktet hetimore do ndiqen nga Prokuroria e Lezhës apo dosja të transferohet në Angli.
Në Britani janë arrestuar shtetasit: Edmond Haxhia; Thomas Mithan; Steven Hant; Harriet Bridgeman
Shqiptari 37-vjeçar Edmond Haxhia, së bashku me britanikët Steven Hunt, 49 vjeç, Thomas Mithan, 35 vjeç, nga Bristol dhe Birmingham, dolën para gjykatës së Westminster të shtunën e kaluar pas arrestimit të tyre në Londër.
Ndërsa Harriet Bridgeman, 27 vjeçe, nga Bristoli, doli në të njëjtën gjykatë të hënën. Për të 4 këta persona, ka kërkesë nga Shqipëria për ekstradimin e tyre. Ata u dërguan në qeli dhe siç shkruan BBC, pritet që të dalin sërish para të njëjtës gjykatë të premten (5 prill).
Për 4 të arrestuarit është caktuar masa 40 ditë burg për qëllim ekstadimi drejt Shqipërisë. Edmond Haxhia, bashkë me 3 britanikët dyshohet se kanë pasur për detyrë të vëzhgojnë lëvizjet e biznesmenit Ardian Nikulaj përpara se të kryhej vrasja, mesditën e 19 prillit, në Shëngjin. Edmond Haxhia akuzohet se është organizatori i ekzekutimit të 51-vjeçarit.
Për ngjarjen në kërkim vijojnë të jenë edhe dy persona të tjerë, britaniku Harry Simson dhe portugezi Rubens Saraiva.
Simson u largua nga Shqipëria mbrëmjen e 19 prillit drejt vendlindjes nga aeroporti i Rinasit. Ai ka dyshime se fshihet ende në Britaninë e Madhe.
Ndërsa 27-vjeçari që akuzohet si ekzekutor, Rubens Saraiva, u largua nga pika e kalimit kufitar në Kapshticë ditën e ngjarjes. Të dy janë tashmë në listën e të kërkuarve nga Interpol.
Sipas policisë dhe prokurorisë shqiptare, vrasja e Nikulajt dyshohet se është kryer për motive gjakmarrjeje.
Edmond Haxhia është nip në familjen Lekstakaj në Lezhë, e cila prej dekadash ka qenë në hasmëri me fisin Nikulaj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.