Ka ndodhur

Shkodër, qiraxhiu vret me armë pronarin e banesës. 51-vjeçari sapo ishte kthyer nga Anglia

Gazeta Si – Një 51-vjeçar, i identifikuar si Petrit Vuksani, është vrarë me armë zjarri mesditën e kësaj të marte në Shkodër pas një konflikti për qiranë e banesës, ku ai ishte pronar.

Sipas burimeve policore, ngjarja ka ndodhur në një banesë pranë varrezave katolike në lagjen “Skënderbej”.

Pak pas ngjarjes, policia njoftoi ka identifikuar dhe shpallur në kërkim autorin e dyshuar, ai është Lekë Vuksani, i cili qëndronte me qira në banesën në pronësi të viktimës.

Vuksani, i kthyer prej rreth 1 muaji nga Britania ku punonte si emigrant, i ka kërkuar autorit paratë e qirasë së disa muajve dhe t’ia lirojë banesën, por ky i fundit ka debatuar me të.

Pas konfliktit të vazhdueshëm, Lekë Vuksani është larguar nga shtëpia, duke u rikthyer me një armë zjarri. Autori i dyshuar është futur në banesë dhe e ka gjetur të vetëm qiradhënësin, duke e qëlluar për vdekje.

Lekë Vuksani mësohet se është identifikuar falë kamerave të sigurisë të vendosura në banesë dhe zonën përreth.

“Rreth orës 12:15, në lagjen “Tom Kola”, në rrethana ende të paqarta, në banesë, është vrarë me armë zjarri shtetasi P. V., 51 vjeç. Shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor kanë shkuar menjëherë në vendngjarje. Janë ngritur pika kontrolli dhe po ushtrohet kontroll në zonë për kapjen e autorit të dyshuar.” – njofton policia.

Vuksani jetonte kryesisht në emigrim dhe shpesh herë kthehej në Shkodër dhe në vendlindjen e tij, në Dukagjin.

Pavarësisht se kanë mbiemra të njëjtë, viktima dhe autori nuk kanë lidhje familjare, ndërsa janë të dy nga Dukagjini.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë