Drejtësia

Sekuestrimi i 2 vilave, Apeli rrëzon ankimimin e dy partnereve të Arben Ahmetajt

Gazeta Si – Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ka rrëzuar kërkesën e ish-zvkryeministrit Arben Ahmetaj lidhur me sekuestrimin e dy vilave në pronësi të partneres së tij në Hamallaj dhe ish-bashkëshortes së tij në Palasë.

Kështu, është lënë në fuqi vendimi i datës 23.03.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Gjatë marsit, pas dyshimeve për “fshehje të pasurisë”, me kërkesë të SPAK, Gjykata e Posaçme vendosi nën sekuestro dy vila në bregdet, një në Palasë dhe një në Hamallaj për llogri të aferës së inceneratorëve.

LEXO EDHE:
Inceneratorët, ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj nën hetim nga SPAK për 4 akuza

Vila në Hamallaj është sekuestruar si rezultat i hetimit të regjistruar nga SPAK për akuzat e korrupsionit, shpërdorimit të detyrës, pastrimit të parave dhe mosdeklarimit të pasurisë, për deputetin Arben Ahmetaj.

Sipas burimeve nga SPAK, vila në Palasë është pjesë e një kompleksi rezidencial dhe dyshohet se zotërohet nga ish-bashkëshortja e ish-ministrit të Financave.

Godina në fjalë nuk rezulton e regjistruar ne emër të ish-bashkëshortes së Ahmetajt, por në emrin e një zonje, rreth miqësor i saj. Vetë ish-bashkëshortja e zyrtarit të lartë ka mohuar të ketë lidhje me këtë objekt.

Ish-zv.kryeministri pretendon se kontrolli i banesës ishte antikushtetues, pasi duhet të ishte marrë më herët miratim nga Kuvendi. Po ashtu ai pretendon paligjshmëri të kryera nga agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit gjatë kontrollit.

SPAK po heton rolin e ish-zv.kryeministrit për inceneratorin e Fierit. Më 9 mars, Byroja Kombëtare e Hetimit ka kryer kontrolle në shtëpinë e ish-gruas dhe partneres aktuale të Ahmetajt.

Ahmetaj është nën hetim nga SPAK për 4 akuza të rënda, shpërdorim detyre, korrupsion, pastrim të parash dhe përftimit të paligjshëm të interesave.

Mësohet se SPAK ka bashkuar dy procedime ndarjen e fraksionit për inceneratorin e Elbasanit ku po hetohet për shpërdorim detyre dhe korrupsion dhe pastrim parash pas kallëzimit qe i është bërë për vilën në Hamallaj. 


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë