Gazeta Si – Armando Broja, sulmuesi i Kombëtares kuqezi dhe Çelsit, ka dhënë së fundi një intervistë të gjatë për revistën “World Soccer”. Ai ka folur për dëmtimin, karrierën, trajnerin e ri të Shqipërisë dhe objektivat për të ardhmen.
Sulmuesi edhe këtë herë ka theksuar se Kombëtarja shqiptare ka kualitet për të shkuar në Europian dhe Botëror. Ja dhe intervista e plotë e Brojës për revistën prestigjioze:

Armando, si po shkon rikuperimi juaj pas dëmtimit në gju?
Po rikuperohem shumë më shpejt nga sa pritej. Të jem në gjendje të kthehem në palestër dhe të punoj me ushtrime force ka qenë një shtysë e madhe për mua. Isha i detyruar të qëndroja në shtrat dhe të kaloja më shumë kohë në fizioterapi, ishte periudha më e vështirë.
Si e kaloni ditën në qendrën stërvitore të klubit?
Po punoj për riaktivizimin e muskujve dhe këmbëve. Muskujt e të dyja këmbëve janë dobësuar shumë për shkak të pasivitetit pas operacionit, kështu që po rindërtoj strukturat muskulore ngadalë. Jam duke bërë shumë not, stërvitje me biçikletë, ushtrime force dhe ngarkesë fizike. Plani është të rikthehem në fillim të sezonit të ardhshëm, gjërat po duken shumë pozitive.
Çelsi ka bërë shumë blerje këtë sezon. Si janë përshtatur lojtarët e rinj?
Sigurisht që ka shumë fytyra të reja, të gjithë janë djem fantastikë dhe janë përshtatur shumë shpejt. Ka pasur ndryshime të mëdha në klub dhe do duhet kohë për të vënë gjërat në vijë. është e rëndësishme të shtosh cilësi në skuadër, është diçka e domosdoshme për të pasur sukses.
Ju firmosët një kontratë 6-vjeçare me klubin. A mendoni se jeni projektuar si një element kyç në të ardhmen e Çelsit?
Patjetër. Kjo është filozofia e pronarëve të rinj. Është një nder shumë i madh që më kanë besuar si një pjesë e rëndësishme e klubit. Çelsi më ka mbështetur shumë në karrierë dhe tani më takon mua t’ia shpërblej këtë besim. Do të më duhet të shfrytëzoj çdo mundësi që më del përpara.

Ju keni pasur dy eksperienca të suksesshme si lojtar i huazuar te Viteshe dhe Sauthempton. Çfarë keni mësuar në këto klube?
Eksperienca te Viteshe shënoi hapin e madh të kalimit nga futbolli i akademisë në futbollin e të mëdhenjve. Ishte i qartë hendeku midis dy realiteteve. Më është dashur të hyja menjëherë në këtë realitet të ri. Sauthempton ishte eksperiencë e mrekullueshme për mua dhe shënoi një hap edhe më të madh. Në fushë gjithçka është më e shpejtë, më fizike dhe më sfiduese. Ishte e rëndësishme për mua të stërvitesha më shumë e të vrapoja. Mund ta kuptosh ndryshimin, duke luajtur kundër disa prej skuadrave dhe lojtarëve më të mirë në botë çdo javë. Gjithmonë e dija se doja të kthehesha te Çelsi më pas.
Cilët kanë qenë idhujt e tu në futboll?
Kanë qenë gjithmonë dy për mua: Kristiano Ronaldo dhe R9 (Ronaldo fenomeni). Çdo fëmijë donte të bëhej si Kristiano Ronaldo, kur isha i vogël. Ai është një lojtar kaq i mrekullueshëm dhe ka qenë gjithmonë një frymëzim për mua e jam përpjekur ta imitoj teksa rritesha. Ndjehem sikur kam disa aftësi të ngjashme fizike me të dhe duke e vëzhguar vazhdimisht mendoj për përmirësimet që mund t’i bëj lojës time.
Por R9 ishte ndikimi më i madh. Nuk munda ta shoh dot kurrë në fushë, duke luajtur një ndeshje, por babai im më tregonte gjithmonë video të tij. Babai donte që të isha një sulmues i ngjashëm me Ronaldon. Luante me këmbën e majtë, me këmbën e djathtë, kishte shpejtësi, forcë, finalizim dhe shumë i aftë në ndërtimin e lojës.
Ju jeni rritur në një lagje të Londrës që quhet Slough dhe keni prindër shqiptarë. Sa ndikim kanë pasur ata dhe trashëgimia shqiptare në jetën tuaj?
Ishte e vështirë për prindërit kur erdhën në Angli, por ata gjithmonë kanë bërë gjithçka për të na dhënë mua dhe dy motrave të mia mundësitë më të mira në jetë. U jam përjetësisht mirënjohës. Ata donin që të mos humbisja kurrë shkollën ose një seancë stërvitore dhe na shtynin të ishim njerëz sa më të mirë. Për shkak të tyre kam një dashuri dhe respekt të madh për Shqipërinë dhe njerëzit e saj.
Ishte një nder i madh për mua që të debutoja me Kombëtaren shqiptare në vitin 2020 dhe më dukej sikur po ua shpërbleja prindërve të mi për të gjitha sakrificat që ata kanë bërë. Ata mbetën pa fjalë kur më panë për herë të parë me Kombëtaren në fushë, ishte mahnitëse t’i shihje duke buzëqeshur në tribunë.
Ish-mbrojtësi i Brazilit dhe Arsenalit, Silvinjo, së fundmi ka marrë detyrën e trajnerit të Shqipërisë. A keni pasur mundësi të flisni me të rreth projektit të tij?
Po, kemi folur disa herë. Ai erdhi në Angli për të më takuar. Ai është një person shumë i mirë dhe ka një vizion të qartë e të drejtpërdrejtë se ku dëshiron ta çojë ekipin. Është shumë inkurajuese. Ai ndan ambicien time për të shkuar në finalet e një Botërori dhe Europiani me Shqipërinë. Ashtu si edhe te Çelsi, duhet durim për t’i sjellë të gjithë në të njëjtën rrugë, kur ka ndryshime në dhomat e zhveshjes. Nuk kam asnjë dyshim se Silvinjo do të ketë një ndikim të madh dhe pozitiv në ekip.

Është shumë emocionuese të jesh pjesë e një skuadre me disa lojtarë të rinj shumë të veçantë. Por ajo që është gjithashtu e rëndësishme është përvoja që kemi në grup. Ka të bëjë me vendosjen e të gjithëve në të njëjtën situatë dhe Silvinjo dhe ndihmësit e tij e kuptojnë këtë.
Nuk kam asnjë dyshim që kemi plot talent aty dhe është një nder i vërtetë për mua të jem pjesë e këtij projekti. E pamë atë që bëri Maroku në Kupën e Botës dhe besojmë se nuk ka asnjë arsye pse ne si grup të mos e përsëritim diçka të ngjashme në të ardhmen. Ne kemi talentin për ta çuar Shqipërinë në Kupën e Botës për herë të parë në historinë e saj.
Cilat janë disa nga synimet më të mëdha që doni të arrini në karrierën tuaj si futbollist?
Kam pasur gjithmonë besim për të synuar sa më lart. Nuk ka kuptim t’i vendosësh vetes objektiva të ulët që mund të arrihen lehtësisht. Në aspektin ekipor, objektivi im kryesor është të ndihmoj Shqipërinë të arrijë në finalet e një Botërori dhe të ndihmoj klubin të fitojë trofeun e Championsit.
Në nivel personal, gjithmonë kam ëndërruar të fitoj ‘Topin e Artë’. Të gjithë mendojnë se kjo do të ishte një arritje e çmendur, por nuk do ta përjashtoja kurrë si opsion, nëse vazhdoj të qëndroj në nivele të larta dhe të punoj shumë. Sigurisht, duhet të përmirësohem më shumë, por nuk kam dyshim se është në dorën time të arrij një objektiv të tillë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




