Filma

Zbulohet komploti i ‘The Crown 6’: nga aksidenti i Lady D te martesa mes Charles dhe Kamilës

Nga Gazeta Si - Ka një pritshmëri të madhe, është e kotë ta mohosh, për “The Crown 6”, sezoni i fundit i serialit të lidhur me epopenë e familjes mbretërore angleze. Edhe nëse, – le ta pranojmë, – realiteti, së fundmi, rreth Buckingham Palace e tejkalon shumë imagjinatën e çdo skenaristi. Këto puntata shumë të pritura pritet të mbulojnë periudhën midis fundit të viteve 1990 dhe fillimit të viteve 2000.

Duke qenë se këto janë kohët që përfshijnë zhdukjen tragjike të princeshës Diana, e cila vdiq në Paris në vitin 1997 në aksidentin e tunelit Alma, nuk mund të mungonin polemikat lidhur me vrazhdësinë (dhe disa thonë edhe për ‘morbiditetin’) e disa skenave. Ndoshta edhe për këtë është vendosur që serialit t’i jepet një fund i këndshëm: dasma në formë të shkëlqyer e princit të atëhershëm Charles me Camilla Parker Bowles, tani bashkëshortë mbret dhe mbretëreshë, respektivisht të luajtura nga Dominic West dhe Olivia Williams.

The Crown

I konsideruar ndër serialet më të shtrenjta ndonjëherë (është vlerësuar se buxheti për çdo sezon është rreth 100 milionë dollarë), “The Crown” pati një bum shikueshmërie pas vdekjes së Mbretëreshës shtatorin e kaluar dhe mbetet ndër serialet e Netflix që ka pasur më shumë recensione dhe komente të mira.

Sipas disa rikonstruksioneve, ngjarjet historike që do të rrëfehen në këtë sezon të fundit do të jenë: pushimet e vitit 1997 në Saint Tropez të Lady Diana dhe Dodi Al Fayes, aksidenti në të cilin vdiqën të dy në Paris, kalimi i mijëvjeçarit, 11 shtator, vdekja e Princeshës Margareth (9 shkurt 2002) dhe më pas ajo e Nënës Mbretëreshë në moshën 101-vjeçare, lufta në Irak. Një periudhë plot re për Elizabeth që do të luhet ende nga Imelda Staunton.

Siç ishte parashikuar nga “MailOnline”, skena e dasmës mbretërore midis Charles dhe Camilla do të filmohet në York Minster (në vend të kishës së San Giorgio në Kështjellën Windsor ku çifti u martua vërtet në 2005).

Me pak fjalë, pas trazirave të lidhura me sekuencën e aksidentit në të cilin humbi jetën Lady D., u vendos që të ëmbëlsohej pilula e komplotit me një klasik të madh: një fund i tillë nga “ata të gjithë jetuan të lumtur përgjithmonë”.

Sezoni i gjashtë në fakt do të ketë hapësirë ​​për “pas Dianës”, kur William fillon të ndjekë Universitetin e St. Andrew’s në Skoci. Atje ai takohet me gruan e tij të ardhshme Kate Middleton dhe Harry është në shënjestër të tabloidëve për shkak të teprimeve të tij me alkoolin dhe kanabisin. Imazhet e para të aktorëve të rinj që i luajnë, Meg Bellamy dhe Ed McVey, kanë bindur publikun social me ngjashmërinë e tyre dhe kanë bërë xhiron e internetit. Ai që luan Harry është Rufus Kampa.

Nga fotot e bëra në set - dhe të publikuara nga disa tabloidë anglezë - të dy mund të shihen duke filmuar disa skena në St Andrews, ku princi i ri William takoi gruan e tij të ardhshme në vitin 2001, kur ata studionin në universitetin me të njëjtin emër në qytetin skocez. Në një skenë, të dy duket se po lëvizin së bashku: Bellamy, 19 vjeç, portretizohet teksa zbret nga një makinë dhe përqafon McVey, 21 vjeç.

Gjithashtu sipas “MailOnline”, William dhe Kate jetuan së bashku në 13A Hope Street gjatë vitit të tyre të dytë, me miqtë Fergus Boyd dhe Olivia Bleasdale. Shtëpia e përbashkët dykatëshe thuhet se u kushtonte qiramarrësve vetëm 100£ në javë. Vëmendje e madhe iu kushtua kostumeve skenike, ku në vitet 2000 mbizotëronin jelekët dhe këmishat xhins.

Në një skenë, – të cilën audienca do ta pëlqejë – Kate shihet duke ecur dorë për dore me atë që duket të jetë një ish i dashur nga kolegji, ndërsa William shikon. Dhe kush është aktori që luan rivalin e dashurisë së princit? Askush tjetër përveç të dashurit të Sienna Miller, aktorit dhe modelit Oli Green. /La Stampa/


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë