Nga Gazeta 'Si'-Pavarësisht se numri i turistëve ka qenë në rritje vit pas viti, për netët e qëndrimit të tyre nuk është i njëjti trend.
Deri tani vetëm viti 2019 mban rekordin e netë qëndrimeve më të larta megjithëse numri i turistëve ishte më i ulët se në vitin 2022 në të cilin matjet treguan se mesatarja e netë qëndrimeve ishte 3.6.
Vitin e shkuar, nëse mesatarja e qershorit dhe korrikut për netë qëndrimet ishte 4 ditë, gjatë gushtit numri i tyre pësoi një rënie me 2.5% duke rënë në 961 nga rreth 986 mijë, që ishin në të njëjtën periudhë të 2021-shit.
Kështu, për të tre muajt e sezonit turistik, mesatarja e qëndrimit të një turisti ra në tre ditë.
Kjo situatë në fakt dëshmonte edhe pezmatimin e operatorëve turistikë të cilët ankoheshin për vende bosh në plazhe dhe hotele. Atëbotë, të njëjtën gjë deklaronin edhe fotot në rrjetet sociale.
Në një vëzhgim që Gazetasi.al bëri që nga viti 2018 deri në vitin e shkuar, rezulton se netë qëndrimet për Shqipërinë kanë ardhur në një tendencë kryesisht të luhatur.
Ulja vihet re në vitin 2020 ku edhe turistët ishin përgjithësisht më shumë shqiptarë se të huaj.
2020-ta përkon me vitin ku shumë shtete kishin ndaluar fluturimet për shkak të Covid-19 dhe nisi një lloj tjetër tendence në Shqipëri, ajo e “të pushuarit shqip”.
Për vitin 2021 numri mesatar i netë qëndrimeve të turistëve ishte 3.33 ndërsa për 2022-shin, 3.8.
Megjithatë kjo ulje e netë qëndrimeve kundrejt rritjes së vizitorëve për gushtin sipas tur-operatorëve mund të ketë disa shpjegime.
Tur-operatorët kanë jashtë sistemit të gjithë apartamentet dhe shtëpitë private që mund t’u jepen turistëve nga të zotët e shtëpisë. Operatorët turistikë thonë se turistët janë akomoduar në këto apartamente duke i bërë pronarët e hoteleve dhe resorteve të mëdha të raportojnë për më pak pushues.
Një faktor tjetër është edhe ndryshimi i gjeografisë së turistëve.
Besnik Vathi, nga Shoqata Shqiptare e Turoperatorëve tha për Gazetasi.al se në 2022-shin turistët në Shqipëri patën një tendencë më të madhe drejt veriut, aty ku shpeshherë mungojnë strukturat hoteliere dhe kampingjet janë jashtë sistemit të kontrolluar.
Shifrat e Eurostat për Europën nuk tregojnë për një realitet fort ndryshe
Në 2019-n që gjithashtu ka qenë vit i mbarë për turizmin europian, turistët kanë kaluar mesatarisht 6.4 netë qëndrime dhe numri ka ardhur po në rënie gjatë viteve në vijim.
Në 2021-shin sipas Eurostat, turistët kanë kaluar rreth 4.2 netë qëndrime ndërsa në 2022-shin rreth 3.9.
Ndër vendet e BE-së, numri i netëve të kaluara nga turistët vendas dhe të huaj në 2022 krahasuar me 2019 është rritur në vetëm tre nga Shtetet Anëtare me të dhëna të disponueshme:
Danimarkë (38.4 milionë net, rritje me 12.3%), Holanda (128.3 milionë duke u rritur me 3.9% dhe Belgjika (42.7 milionë, rritje me 0.5%).
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.