Gazeta Si - Dështon për të disatën herë seanca në GJKKO për fillimin e gjykimit të çështjes për iInceneratorin e Elbasanit. Këtë herë shkak është bërë mungesa e një prej të pandehurve dhe e avokatit të Klodian Zotos.
E pandehura Jonida Zeqo, e cila hetohet nën masën e “arrestit shtëpiak”, nuk është gjetur në banesë, ashtu si edhe në seancën e kaluar.
Në këto kushte, prokurori Klodian Braho kërkoi në gjykatë që Jonida Zeqo të shpallet në kërkim nga policia.
Sipas gjykatës, Zeqo kishte dërguar një email në adresë të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ku deklaronte se ishte në dijeni të procesit dhe se kërkonte gjykim të shkurtuar.
Por ky email nuk u mor parasysh nga trupi gjykues që deklaroi se Zeqo në këtë mënyrë po i fshihet drejtësisë.
Jonida Zeqo, ish-anëtare e Komisionit për dhënien e koncesionit, akuzohet për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, të kryer në bashkëpunim.
Gjithashtu në seancë ka munguar edhe avokati Ardian Leka, i cili mbron Klodian Zoton, i shpallur në kërkim.
Gjykata pezulloi afatet e paraburgimit për të pandehurit deri në seancën tjetër që u caktua në datën 5 maj.
Në këtë proces, janë në akuzë 10 ish-zyrtarë dhe dy kompani, me dyshimet për korrupsion aktiv, shpërdorim të detyrës dhe pastrimit të parave.
Të pandehur për inceneratorin e Elbasanit janë, Lefter Koka, Alqi Bllako, Mirel Mërtiri, Klodian Zoto, Stela Gugallja, Pëllumb Abeshi, Etleva Kondi, Jonida Zeqo, Bardhyl Çabiri, Serafin Papa.
Nga këta, në qeli qëndrojnë Lefter Koka, Alqi Bllako, Pëllumb Abeshi dhe Bardhyl Çabiri. Ndërsa në arrest shtëpie qëndrojnë Jonida Zeqo, Etleva Kondi e Serafin Papa. Në kërkim janë tre administratorët e inceneratorit, Klodian Zoto, Mirel Mërtiri e Stela Gugallja.
Të gjithë të pandehurit, akuzohen për “Shpërdorimi i detyrës”, “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.