Gazeta Si – Ramazan Rraja, nipi i deputetit socialist Rrahman Rraja, është arrestuar mbrëmjen e kësaj të mërkure nga forcat speciale.
I shpallur në kërkim ndërkombëtar, ndaj tij ishte lëshuar masë sigurie “arrest në burg” në mungesë për atentatin ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoj, ngjarje kjo e ndodhur në gusht të vitit 2019.
Mësohet se 30-vjeçari është kapur në një lokal pranë Urës së Gjoles, në krahun e majtë të rrugës nacionale Vorë-Fushë Krujë, teksa ka qenë duke ngrënë iftar bashkë me disa besimtarë të tjerë myslimanë.
Në momentin e arrestimit, Ramazan Rraja ka qenë i armatosur me pistoletë në brez me fishek në fole gati për qitje.
Sipas Policisë së Shtetit, i riu, që nga momenti i shpalljes në kërkim, nuk është larguar në asnjë moment jashtë shtetit, por fshihej në trekëndëshin “Durrës-Lezhë-Tiranë”.
Në momentin e kapjes, Rraja shoqërohej me një shtetas tjetër, në kërkim nga Policia e Elbasanit, për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënie pasurie”, të kryer në bashkëpunim.
Bëhet fjalë për Louis Konomi alias Elton Llozhi, i kërkuar për kërcënimin me jetë ndaj biznesmenit të Cërrikut, Eral Myftaraj. 39-vjeçari do t’i dorëzohet Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan, për kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale.
Ai ishte shpallur në kërkim nga SPAK, ku akozhej si i përfshirë në atentatin e ndodhur ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoj dhe Aleksandër Lahos, i njohur si “Rrumi i Shijakut”, ngjarje ku humbi jetën shoferi Andi Maloku.
Gjithashtu, në muajin shkurt, Ramazan Rraja u dënua me 12 vite burg nga drejtësia belge, ku akuzohej si pjesë e një grupi kriminal shqiptaro-letonez, me rrezikshmëri të lartë, që nxirrte fitime të mëdha nga kontrabanda dhe trafikimi i kokainës.
Ramazan Rraja është një emër i njohur i botës së krimit, ku është aluduar si i përfshirë në shumë ngjarje kriminale.
Në 20 janar 2023 për atantatin ndaj Ndojës u arrestuan Genti Ndërjaku alias Akil Ndërjaku, Marsel Deçka, Endrit Sinani, Julian Pjetri dhe Bashkim Haxhija.
Në 22 shkurt u arrestua në Abu Dhabi Amar Dritan Shkëmbit, në kërkim për atentatin janë edhe Julian Meçaj dhe Plaurent Dervishaj.
SPAK pretendon se Ramzan Rraja, bashkë me kushëririn e tij dhe persona të tjerë kanë organizuar atentatit ndaj prokurorit Arian Ndoj më 1 nëntor 2019.
Në atentat mbeti i vrarë shoferi Andi Maloku, dhe u plagos Landi Muharremi “Rrumi i Shijakut” dhe ish-prokurori i Durrësit, Arjan Ndoj.
Sipas prokurorisë, e gjithë përplasja mes dy grupeve ka ardhur si pasojë e konflikteve për pronat në bregdet.
Ramazan Rraja është pyetur nga policia në muajin tetor të vitit të kaluar, edhe për vrasjen e trefishtë të mbikalimit të Fushë-Krujës, ku mes të vrarëve ishte kushëriri i Ervis Martinaj, Brilant Martinaj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.