Drejtësia

I dyshuar për atentatin ndaj prokurorit Arjan Ndoj, Apeli lë në burg Ramazan Rrajën

Gazeta Si - Gjykata e Posaçme e Apelit ka rrëzuar kërkesën e Ramazan Rrajës për zbutje të masës së sigurisë.

Rraja u arrestua më 19 prill, pasi ishte shpallur në kërkim nga SPAK si i përfshirë në atentatin ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoji në vitin 2019, ku mbeti i vrarë shoferi Andi Maloku dhe u plagosur Landi Muharremi, i njohur si "Rrumi i Shijakut".

Rraja akuzohet për sigurim kushtesh për të kryer vrasje dhe armëmbajtje pa leje. Vetë Rraja, para gjykatës i ka mohuar akuzat e prokurorisë.

I shpallur në kërkim, ai u kap mbrëmjen e së mërkurës te Ura e Gjoles në Fushë-Krujë, gjatë një operacioni të koduar "Komploti".

Në momentin e arrestimit Rraja ishte me pistoletë në brez. Për këtë arsye, ndaj tij është ngritur edhe akuza e armëmbajtjes pa leje.

Ai u shpall në kërkim së bashku me disa persona të tjerë, përfshirë Plarent Dervishajn, i cili ndodhet në Dubai.

Policia tha se 30-vjeçari nuk ishte larguar në asnjë moment jashtë shtetit, por fshihej në trekëndëshin “Durrës-Lezhë-Tiranë”.

Pak muaj më parë, në banesën e Ramazan Rrajës në Fushë Krujë, janë ushtruar dy kontrolle, pasi dyshohej si person që kishte dijeni për atentatin ndaj ish prokurorit Arjan Ndoj.

SPAK-u lëshoi urdhër për shoqërim të detyrueshëm të tij për të dhënë dëshmi, por në momentin e kontrollit Rraja nuk u gjend në banesë, dhe u paraqit pak kohë më vonë. Pasi u mbajt për disa orë në policinë e Tiranës, Rraja u la i lirë.

Në muajin shkurt, 30-vjeçari u dënua me 12 vite burg nga drejtësia belge, ku akuzohej si pjesë e një grupi kriminal shqiptaro-letonez, me rrezikshmëri të lartë, që nxirrte fitime të mëdha nga kontrabanda dhe trafikimi i kokainës.

Bashkë me Rrahjan, mbrëmjen e së 19 prillit u arrestua edhe miku i tij, Luis Konomi, i cili ishte shpallur në kërkim nga policia e Elbasanit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë