Drejtësia

I përfshirë në atentatin ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoj, Apeli i GJKKO lë në burg Ramazan Rrajën

Gazeta Si - Apeli i GJKKO-së ka lënë në fuqi masën e sigurisë "arrest në burg" për Ramazan Rrajën, i akuzuar si i përfshirë në atentatin ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoj në nëntor 2019.

Rraja iu drejtua Apelit për ndryshim të masës së sigurisë, por gjykata la në fuqi të enjten vendimin e Shkallës së Parë.

Ramazan Rraja akuzohet si personi që ka siguruar kushtet për kryerjen e atentatit në vitin 2019, ku ish- prokurori shpëtoi, por nga plumbat humbi jetën shoferi i tij, Andi Maloku.

Ramazan Rraja u arrestua në muajin prill të vitit të kaluar në një lokal në zonën e Fushë-Krujës, ndërsa ishte me pistoletë në brez dhe fishek në fole gati për qitje.

Gjithashtu, në muajin shkurt 2023, Ramazan Rraja u dënua me 12 vite burg nga drejtësia belge, ku akuzohej si pjesë e një grupi kriminal shqiptaro-letonez, me rrezikshmëri të lartë, që nxirrte fitime të mëdha nga kontrabanda dhe trafikimi i kokainës.

Ramazan Rraja është një emër i njohur i botës së krimit, ku është aluduar si i përfshirë në shumë ngjarje kriminale.

Në 20 janar 2023 për atantatin ndaj Ndojës u arrestuan Genti Ndërjaku alias Akil Ndërjaku, Marsel Deçka, Endrit Sinani, Julian Pjetri dhe Bashkim Haxhija.

Në 22 shkurt u arrestua në Abu Dhabi Amar Dritan Shkëmbit, në kërkim për atentatin janë edhe Julian Meçaj dhe Plaurent Dervishaj.

SPAK pretendon se Ramazan Rraja, bashkë me kushëririn e tij dhe persona të tjerë kanë organizuar atentatit ndaj prokurorit Arian Ndoj më 1 nëntor 2019.

Në atentat mbeti i vrarë shoferi Andi Maloku, dhe u plagos Landi Muharremi “Rrumi i Shijakut” dhe ish-prokurori i Durrësit, Arjan Ndoj.

Sipas prokurorisë, e gjithë përplasja mes dy grupeve ka ardhur si pasojë e konflikteve për pronat në bregdet.

Ramazan Rraja është pyetur nga policia në muajin tetor të vitit të kaluar, edhe për vrasjen e trefishtë të mbikalimit të Fushë-Krujës, ku mes të vrarëve ishte kushëriri i Ervis Martinaj, Brilant Martinaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë