Nga Gazeta ‘SI’ – Vendimet me qëllim elektoral për lehtësim tatimor dhe një sërë faktorësh të tjerë politikë, kanë kufizuar rritjen e barrës fiskale në Shqipëri dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.
Një raport i fundit, mbi barrën fiskale nga qendra Altax në Shqipëri, tregon se ky tregues (detyrimet tatimore që mblidhen nga buxheti dhe kthehen në të mira publike) në të gjitha vendet, por sidomos në Shqipëri ka pësuar një rritje shumë të lehtë nga viti në vit për 5 vitet e fundit, duke mos u përputhur as me planet e buxheteve fillestare.
Shqipëria është vendi i dytë në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, pas Kosovës, për barrën më të ulët fiskale Barra fiskale e Shqipërisë rezulton 26.3% e PBB-së gjatë vitit 2022 me një rritje pothuajse 1 pikë përqindje nga 2021-shit.
Kosova mban vendin e parë, me 24.8% të PBB-së së saj. Maqedonia e Veriut në vitin 2022 prezanton nivelin e barrës fiskale sa 27.2% të PBB-së. Por, të tre këto vende në 2022 prezantohen si vende me barrë fiskale më të ulët se mesatarja e barrës fiskale të 6 vendeve së bashku, sa 30.8% e PBB-së BP6.
Vendet si Serbia, Bosnjë-Hercegovina, Mali i Zi në vitin 2022 kanë tregues mjaft më të lartë të barrës fiskale, respektivisht në nivelet 38.7% deri 16.4% e PBB-së së Serbisë, 37.4% e PBB-së së Bosnjë -Hercegovinës dhe 34.3% të PBB-së së Malit të Zi.
Në dy vitet e fundit 2021 – 2022 barra fiskale është në nivelin e 31.5% të PBB-së së Ballkanit Perëndimor. Kjo peshë e barrës fiskale është në rritje me 1.2% të PBB-së krahasuar me vitin 2020, por edhe në krahasim me 2019 (viti para pandemisë) është më e madhe (sa 0.8% e PBB-së). Gjithsesi niveli i barrës fiskale në vendet e BP6 është 10.2% pikë përqind poshtë nivelit të barrës në BE, më pak 10.2%.
Sipas raportit, ky nivel është tregues se në Ballkanin Perëndimor vijon ende një administrim poshtë kapaciteteve të referueshme të hyrjeve fiskale. Kjo dobësi në 6 vendet nuk vjen nga baza ligjore e munguar apo më e dobët se në vendet e Ballkanit Perëndimor, por nga vullneti për taksimin nga qeveritë e vendeve të këtij rajoni.
“Ky vullnet jokonsistent vërehet te mënyra se si e përdorin liderët politikë që drejtojnë qeverisjet në dy vitet e fundit, si politikën tatimore nëpërmjet miratimit të lehtësirave tatimore dhe dëmtimit të neutralitetit fiskal, po ashtu edhe nëpërmjet emërtimit në drejtimin e administratave individë preferencialë dhe jashtë kornizave të meritokracisë. Në këtë mes politika fiskale ka rezultuar me ndikim jo neutral, kur duhet që të përdoret, si një instrument nxitës në sinkron me reformat e tjera për nxitjen e investimeve dhe produktivitetit. Argumenti kryesor ku mbështetet përshkrimi i situatës së sistemit fiskal në BP6 është treguesi i barrës tatimore në gjithë vendet, i cili ka mbetur në vend pa ndryshuar dukshëm në raport me nivelin mesatar në të paktën 5 vitet e fundit.”
Raporti përmend disa faktorë të tjerë që ndikojnë në boshllëkun e planit buxhetor për mbledhjen e taksave dhe arkëtimeve faktike nga administratat fiskale. Nisur nga lehtësimet tatimore që janë më shumë motive elektorale, humbje të besimit te qeverisja, nga varësia e madhe mbi taksat e konsumit që kanë ndikuar edhe barrën, nga kapacitetet e mangëta administrative, si dhe nga kulturë ende poshtë nivelit të pritshëm të pajtueshmërisë vullnetare në llogaritjen, deklarimin dhe pagimin e tatimeve dhe taksave.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.