Filma

Konfirmohet zyrtarisht, seriali ‘Harry Potter’ do të xhirohet

Prej disa kohësh përflitet se “Warner Bros. Discovery” është gati të rikthehet në Hogwarts dhe tani më në fund është konfirmuar.

“Letra juaj për Hogwarts është këtu. Max ka porositur serinë e parë televizive të Harry Potter, një përshtatje besnike e librave ikonë”, shkroi produksioni në Twitter me një video-njoftim.

Seriali, i bazuar në të shtatë librat e serisë të botuar midis 1997 dhe 2007, do të bëhet një “serial dhjetëvjeçar i prodhuar me të njëjtën dinamikë, dashuri dhe kujdes për të cilin njihet ky ekskluzivitet global”, thuhet në një deklaratë nga marka e re Max.

“Çdo sezon do të jetë autentik për librat origjinalë dhe do të sjellë Harry Potter dhe aventurat e tij të pabesueshme për audiencë të re në mbarë botën, ndërsa filmat origjinalë, klasikë dhe të dashur do të mbeten në zemër të ekskluzivitetit dhe të disponueshëm për t’u parë,” u bë e ditur nga produksioni.

Rowling do të jetë producenti ekzekutiv i serialit, së bashku me Neil Blair dhe Ruth Kenley-Letts. David Heyman, i cili ishte producenti ekzekutiv i tetë filmave artistikë të Harry Potter (të lëshuar midis 2001 dhe 2011), është gjithashtu në bisedime për producentin ekzekutiv.

Spekulimet mbi një serial të mundshëm televiziv, mbi të cilin është punuar që prej të paktën 2021, kanë shkaktuar reagime të ndryshme mes fansave të universit Potter.

Megjithëse bota e zgjeruar e Harry Potter-it – librat, filmat, shfaqjet teatrore dhe videolojërat – vlerësohen rreth 25 miliardë dollarë (20 miliardë £), pikëpamjet e Rowling për të drejtat transgjinore kanë shkaktuar polemika dhe kanë larguar shumë fansa nga ardhja e serialit.

Autorja mungonte në ribashkimin special të 20-vjetorit të filmit të parë artistik, i cili bëri bashkë anëtarët e kastit që kujtonin kohën e tyre së bashku dhe magjinë e librave dhe filmave. Daniel Radcliffe, Emma Watson dhe Rupert Grint dolën kundër Rowling për çështjet transgjinore, ndërsa Helena Bonham Carter dhe Ralph Fiennes kanë mbrojtur Rowling.

Warner Bros, kompania mëmë e HBO, prodhoi të tetë filmat e Harry Potter dhe ka mbajtur lidhje të ngushta me Rowling në vitet e mëvonshme. Studio ka nënshkruar marrëveshje të mëparshme me Rowling për ekskluzivitetin e “Fantastic Beasts”, shfaqjen skenike Harry Potter.

“Ne jemi të kënaqur që po i japim audiencës mundësinë për të zbuluar Hogwarts në një mënyrë krejtësisht të re”, tha Casey Bloys, kryetar dhe CEO i HBO dhe Max Content, sipas Hollywood Reporter.

“Harry Potter është një fenomen kulturor dhe është e qartë se ka një dashuri dhe etje kaq të madhe për Botën e Magjistarëve. Në partneritet me Warner Bros Television dhe JK Rowling, ky seria i ri do të zhytet thellë në secilin prej librave ikonë që fansat kanë vazhduar të shijojnë gjatë gjithë këtyre viteve”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë