Politike

Meta: Rama nuk bashkëpunoi, tani do të flas me Ruçin

Propozimi i dytë i kryeministrit Edi Rama për dekretuar Sandër Lleshin në postin e ministrit të Brendshëm sjell reagimin e presidentit Meta. Për këtë propozim dhe konflikt institucional numri një i shtetit shqiptar kërkon ndërhyrjen e Parlamentit shqiptar.

Zëdhënësi i Presidentit, Tedi Blushi në një reagim për median sqaron se pas mbërritjes së propozimit nga Kryeministria për emërimin e z. Sandër Lleshit si Ministër i Brendshëm, Meta ka nisur procesin me bashkëpunimin me institucionet përgjegjëse për këtë kandidaturë.

“Prej ditës së djeshme (të premten), pas mbërritjes së propozimit, Presidenti i Republikës Sh.T.Z Ilir Meta ka nisur procesin e bashkëpunimit me institucionet përgjegjëse për të marrë përgjigje të qarta, të plota dhe shteruese ndaj të gjitha çështjeve për të cilat Presidenti nuk mundi të sqarohej herën e parë, pavarësisht nga përpjekjet e tij të vazhdueshme për bashkëpunim. Lidhur me këtë proces të ri, Presidenti ka vendosur të informojë mbi kërkesat e tij edhe Kryetarin e Kuvendit, pasi procedura e emërimit të një ministri është proces bashkëpunimi i detyrueshëm e kushtetues midis tre institucioneve (Kryeministri, Presidenti, Kuvendi)”, thuhet në reagimin e Presidencës. 

Pas këtij procesi të ri, kreu i shtetit duket se nuk do të shmangë nga konsultimet edhe kryeparlamentarin Gramoz Ruçi, i cili duket se do të jetë negociatori ndërmjet Ramës dhe Metës.

Vetë deklarata e kreut të shtetit lë të nënkuptojë se ka pasur mungesë bashkëpunimi ,duke dhënë sinjale se kjo ka ardhur për shkak të qëndrimit të Kryeministrit apo dhe institucione të tjera ligjzbatuese.

Ndërsa bëhet e ditur se presidenti është i vendosur që të respektojë Kushtetutën dhe afatet kohore për propozimin e paraqitur nga kryeministri, duke shtuar se interesi i tij është forcimi i sigurisë kombëtare.

“Presidenti Meta është i vendosur të përmbushë përgjegjësitë e tij kushtetuese me rigorozitet dhe brenda afateve kushtetuese, vetëm në interes të respektimit të Kushtetutës dhe forcimit të sigurisë kombëtare ku Ministria e Brendshme ka një rol kyç”, thuhet në deklaratën e zëdhënësit Blushi.

Ky reagim erdhi pasi Meta njoftoi për vizitën e tij zyrtare në Paris. Ndërsa një ditë më parë do t’i cilësonte si diletantë e amatorë ata që e sulmojnë për mos dekretimin e Lleshit si ministër, pasi nuk dinë të lexojnë Kushtetutën.

“Për sa i takon anës ligjore pa dashur të jap leksione për Kushtetutën,  por të gjithë amatorët,   diletantët apo atyre që janë të njëanshëm, do t’i ftoja edhe një here të lexojnë Kushtetutën,   kompetencat e Presidentit dhe se akt formal, apo ceremonial është vetëm betimi te Presidenti. Dhe të gjithë atyre, që mendojnë se dekretimi nuk është një akt substancial dhe individual, por formal dhe se Presidenti ka detyrë vetëm të firmosë një propozim në këtë rast, pasi në Kushtetutë nuk thuhet në mënyrë eksplicite që Presidenti mund të kthejë mbrapsht një propozim, kam një pyetje tjetër: A mundet Parlamenti të rrëzojë dekretin e Presidentit për një ministër? Sepse edhe kjo nuk është e shprehur në mënyrë eksplicite në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë”, deklaroi dje kreu i shtetit.

Ndërsa më tej theksoi se do të respektonte Parlamentin si President. “Më lini të bëj detyrën time me përgjegjshmëri të plotë. Unë jam mjaft i lidhur me Parlamentin dhe jam i zgjedhur nga Parlamenti”, do të shprehej kreu i shtetit.

Por, reagimi i sotëm i Presidencës, lë të nënkuptojë se për zgjidhjen e këtij ngërçi, Meta e ka parë të arsyeshëm të përfshijë Ruçin, i cili duket se dhe në takimin e mëparshëm në Presidencë,  ka  arritur të sheshojë disa përplasjet mes mazhorancës dhe kreut të shtetit, për të cilat nuk arriti t’i zgjidhte në takimin 90 minutësh me kryeministrin në Presidencë.

Gjashtë ditë më parë, Ruçi shkoi në Presidencë. Pas këtij takimi Meta preferoi që ta përcillte vetë kryeparlamentarin, e më pas do të dilnin dekretet siç ishin edhe ato për emërimin e kreut të SHISH, Helidon Bendos, apo dhe për kreun e KLSH-së dhe për nisjen e procedurave për anëtarin e Gjykatës Kushtetuese.

Ruçi duke dalë nga takimi në Presidencë, ku përcillet nga presidenti Meta

Edi Rama njoftoi dje se i ka dërguar sërish emrin e Sandër Lleshit për ta emëruar në postin e ministrit të Brendshëm. Këtë lëvizje të radhës, kryeministri e ka bërë të ditur nëpërmjet një postimi në llogarinë zyrtare në Twitter.

“Sapo kam rifirmosur për ridërgim kërkesën për dekretimin e Sandër Lleshit, Ministër i Brendshëm, drejtuar Presidentit të Republikës. Bashkëngjitur do t’i dërgohet Presidentit edhe një relacion i detajuar shpjegues, në funksion të dekretimit të Ministrit të Brendshëm”, shkruan kryeministri.

Ndërsa duket se Presidenti po shfaqet më i zbutur, duke mos i shfaqur si konfliktual sa i përket çështjes “Lleshi”, duke e pasur topin në fushën e Kryeministrit.

Meta në këtë lojë shahu e hodhi lëvizjen e tij, tani pritet reagimi i mazhoranës dhe i kryeministrit Rama, nëse do të pranojë që Ruçi të përfshihet si interlekutorë ose jo për zgjidhjen e kësaj përplasjeje institucionale.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë