Gazeta Si - Gjykata e Posaçme ka shtyrë për herë të dytë brenda një jave procesin ndaj të akuzuarve për inceneratorin e Elbasanit.
Shkak është bërë mungesa e njoftimit zyrtar të të pandehurës Jonida Zeqos, anëtare e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave. Ndërkohë seanca e radhës u caktua në 20 prill, ora 09:30.
Zeqo qëndron në masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, por policia njoftoi gjykatën se nuk kishte mundur të gjente banesën e saj.
Prokurorët e çështjes Klodian Braho dhe Arben Kraja kërkuar shtyrjen e seancës për njoftimin zyrtar të Zeqos dhe pezullimin e afateve të paraburgimit për personat e arrestuar.
Gjithashtu organi i akuzës, iu përgjigj gjykatës se nuk është të vendodhjes së të pandehurës.
Në seancë u relatua se Interpol Tirana ka njoftuar gjykatën se dy biznesmenet e inceneratorëve Stela Guallja dhe Mirel Mërtiri janë lokalizuar në Austri dhe se për të dy Ministria e Drejtësisë ka dërguar kërkesë për ekstradim, ndërsa nuk ka asnjë informacion për vendndodhjen e Klodian Zotos.
Të enjten e shkuar, seanca e parë në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për aferën e inceneratorit të Elbasanit u shty për shkak të mungesës së dy prej avokatëve të dy të pandehurve.
Të pandehur për inceneratorin e Elbasanit janë, Lefter Koka, Alqi Bllako, Mirel Mërtiri, Klodian Zoto, Stela Gugallja, Pëllumb Abeshi, Etleva Kondi, Jonida Zeqo, Bardhyl Çabiri, Serafin Papa.
Nga këta, në qeli qëndrojnë Lefter Koka, Alqi Bllako, Pëllumb Abeshi dhe Bardhyl Çabiri. Ndërsa në arrest shtëpie qëndrojnë Jonida Zeqo, Etleva Kondi e Serafin Papa. Në kërkim janë tre administratorët e inceneratorit, Klodian Zoto, Mirel Mërtiri e Stela Gugallja.
Të gjithë të pandehurit, akuzohen për “Shpërdorimi i detyrës”, “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.