Nga Gazeta ‘SI’ – Autoriteti i Konkurrencës gjatë 2022-shit arkëtoi për herë të parë pas 4 vitesh para, nga gjobat e vendosura, rreth 26 mln lekë. Gjithsesi, vlerat që subjektet janë gjobitur janë disafish më të larta.
Vlera më e madhe që AK gjobiti ishte ajo për tre ndërmarrje në tregun e importit dhe shitjes me shumicë të plehrave kimike DAP, nitrat dhe ure, për sjellje të bashkërenduar dhe ndarje të tregut të produkteve, 192 mln lekë.
Komisioni i Konkurrencës vendosi gjobitjen e ndërmarrjes Bankers Petroleum në shumën e 19.86 milionë lekëve, për moszbatim të vendimeve të Komisionit të Konkurrencës, të viteve 2020 dhe 2021.
Në nëntor të vitit 2022, Komisioni i Konkurrencës vendosi gjithashtu një gjobë në shumën e 1.6 milionë lekëve për kompaninë Star Parking në tregun e menaxhimit të faciliteteve të parkimit të Tirana International Airport.
Në AK ka subjekte që ende nuk kanë shlyer gjobat nga vitet e mëparshme. Autoriteti raporton se gjatë vitit 2022, nëpërmjet procedurave të ndjekura pranë gjykatës, ka nxjerrë 20 urdhra ekzekutimi për mbledhjen e gjobave të vendosura nga Komisioni i Konkurrencës. Nga këto vendime, janë ekzekutuar gjashtëmbëdhjetë dhe janë në proces ekzekutimi katër të tjerë.
Më herët gjatë vitit të shkuar, Denar Biba, kreu i këtij institucioni tha se problemi pse AK nuk finalizon dot gjobat, janë vendimet e gjykatës, që i hedh poshtë vendimet e komisionit të konkurrencës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




