Prosecco për të ngritur dolli për mbylljen e projektit, kokteje për festën e Krishtlindjes, një birrë ‘al desko’ për të përfunduar javën, pije për ditën e marrjes së pagës.
Alkooli ka qenë prej kohësh një element kryesor i kulturës në vendin e punës. E megjithatë, ndërsa pandemia destabilizoi kulturën sociale të vendit të punës, siç e njihnim, pirja e një gote nuk u zhduk si zakon.
Në shumë raste, veçanërisht në fillim të pandemisë, “happy hour” kaloi në Zoom.
Pothuajse në të gjitha sferat e jetës, konsumimi i rregullt i alkoolit është institucionalizuar, madje nxitur: është përfshirë në ritet e kalimit (rites of passage), si universiteti; dhe mbartet në vendin e punës si një ritual lidhës, përforcues morali dhe qetësues stresi.
Takimet e punës në bare dhe restorante, shoqëruar me pije, është madje pjesë e strategjisë së biznesit të disa kompanive.
Në Kinë, për shembull, pirja e tepërt përdoret si një lloj “kontrate morale”, në të cilën partnerët e mundshëm të biznesit dehen së bashku për t’u bërë miq, kështu që ata mund t’i besojnë njëri-tjetrit, që të mos dëmtojnë interesat profesionale të personit tjetër.
Në Mbretërinë e Bashkuar, sipas një studimi të vitit 2022 nga organizata bamirëse arsimore Drinkaware, alkooli është më i rrënjosur në sektorin privat, ku 86% të këtyre punonjësve kanë më shumë gjasa të thonë se ka një pritje për të pirë në aktivitetet e kompanive, sesa në sektorin publik (15% kundrejt 8%).
Megjithatë, sado të rëndësishme të jenë pijet alkolike në socializimin dhe strategjinë e vendit të punës, ka shenja që disa kompani po e rimendojnë rolin e alkoolit në mjediset profesionale.
Disa ekspertë thonë se kjo lëvizje është e vonuar. Në fund të fundit, shumë punonjës nuk pinë për arsye personale dhe ndërveprimet që përfshijnë alkoolin në punë, mund të jenë të vështira.
Përveç kësaj, duhet përmendur grupin gjithnjë e më të madh të Brezit Z, të cilët po bëjnë biseda më të thella rreth maturisë dhe normalizimit të socializimit pa alkool, dhe kjo ngre pyetjen: a ka më një vend për pijet alkolike në punë – dhe a duhet të ketë?
Presion për të marrë pjesë
Megjithëse disa punonjës e mirëpresin alkoolin në jetën e tyre të punës, theksi mbi kulturën e pirjes në vendin e punës, nuk u përshtatet të gjithëve. Dhe shpesh është e vështirë të shmanget.
Studimi i vitit 2019, i kryer nga studiues në Universitetin e Stavanger në Norvegji, zbuloi se kur punëdhënësit ose mbikëqyrësit fillojnë të pinë, punonjësit ndihen të detyruar të marrin pjesë.
Dhe mes njerëzve në Mbretërinë e Bashkuar, gjysma e të anketuarve nga studiuesit në Universitetin e Stirling në Skoci pranuan se ishin nën presion për të pirë alkool nga kolegët dhe familjarët.
Ai tregoi gjithashtu se në përgjithësi, burrat ndiheshin të detyruar të pinin më shpesh se gratë, 20% më shumë gjasa që burrat të inkurajoheshin për të pirë nga kolegët e tyre dhe 37% më shumë nga shefat e tyre.
Një ndryshim
Ka prova që kultura e vendit të punës po evoluon larg fokusit tek alkooli. Gjatë viteve të fundit, për shembull, kompani të mëdha, duke përfshirë Salesforce, Uber dhe Jet, bënë lëvizje për të reduktuar ose për të ndaluar plotësisht alkolin në vendin e punës.
“Gjërat sigurisht kanë ndryshuar në dekadat e fundit, me një zhvendosje graduale nga socializimi në vendin e punës të fokusuar tek alkooli,” thotë Andrew Misell, drejtor për Uellsin në organizatën bamirëse Alcohol Change UK.
“Është pjesë e një njohjeje më të gjerë të çështjeve të shëndetit dhe sigurisë, si dhe sjelljeve të përshtatshme dhe të papërshtatshme dhe ngacmimeve në vendin e punës, që kanë ndihmuar në largimin e kulturës tradicionale të pijeve alkolike në vendin e punës.”
Bisedat për dehjen dhe problemet me alkoolin, janë bërë gjithashtu më pak tabu, veçanërisht në komunitetet online si TikTok dhe Instagram.
Fushatat globale dhe kombëtare si Dry January dhe Go Sober for October, mbledhin më shumë adhurues çdo vit që kalon.
Në vitin 2013, 4.000 britanikë morën pjesë në Dry January; deri në vitin 2022, numrat arritën në më shumë se 130.000.
Dhe veçanërisht midis brezave të rinj, ka më shumë gatishmëri për të eksperimentuar me uljen e konsumit të alkoolit, në jetën e tyre personale dhe profesionale.
Në një sondazh me 4.000 studentë në Mbretërinë e Bashkuar nga Bright Network, një specialist i karrierës dhe punësimit, 45% e të anketuarve thanë se alkooli nuk duhet të luajë një rol në aktivitetet sociale të punës.
Sipas një sondazhi me 2.400 punëtorë dhe 250 punonjës në Mbretërinë e Bashkuar nga Totaljobs, më shumë se 1 në 3 punëtorë e sheh pijen me kolegët si të vjetëruar.
Frigoriferët e birrës 24/7, karroca e pijeve të së premtes dhe eventet shoqërore me pije alkoolike, nuk u përshtaten aq mirë punëtorëve dhe mund të jenë më pak të rrënjosura në kulturën e korporatës.
Lidhjet shoqërore pa pije alkoolike
Shumë njerëz janë ende të lumtur të marrin pjesë në ‘happy hour’ të sponsorizuara nga punëdhënësi, festat dhe evente e korporatave.
Sipas studimit të Drinkaware 2021, një e katërta e britanikëve që punojnë, thonë se alkooli ka luajtur një rol mjaft pozitiv ose shumë pozitiv në ngjarjet sociale të punës dhe vetëm rreth 10% thanë se kishte një ndikim mjaft ose shumë negativ.
Në SHBA, më shumë se një e treta (38%) e amerikanëve besojnë se pijet pas punës, janë një mënyrë e mirë për të lidhur dhe forcuar një ekip, sipas të dhënave të vitit 2023 nga ofruesi i burimeve të trajtimit të alkoolit Alcohol.org, nga kompania e kujdesit shëndetësor American Addiction Centers .
Megjithatë, largimi nga vendet e punës me në qendër pijet alkoolike tashmë po ndodh.
Dikur e njohur për birrën me rubinet, WeWork, një kompani që jep me qira hapësira për zyra, duke ofruar hapësira pune fleksibël në të gjithë botën, ka përditësuar ofertën e saj bazuar në reagimet nga anëtarët në rajone të ndryshme.
Përpara pandemisë, pijet alkoolike u hoqën nga përdorimi në SHBA dhe u zëvendësuan me kafe të ftohtë, kombucha dhe seltzer; në Mbretërinë e Bashkuar, birra mbetet, por qëndron përkrah kafeve seltzer dhe kombucha gjatë gjithë ditës.
“Nuk ka të bëjë me përpjekjen për të ndaluar të gjithë alkoolin në punë, por përkundrazi, do të thotë të jesh më i vetëdijshëm se jo të gjithë duan të pinë dhe se shumë mund të shkaktojë probleme për punonjësit dhe organizatën në tërësi,” thotë Catterall.
“Taktikat si opsionet joalkoolike dhe aktivitetet e socializimit, që nuk varen nga alkooli jo vetëm që krijojnë një mjedis më gjithëpërfshirës për ata që nuk pinë, ku ata ndihen njëlloj të vlerësuar dhe janë të mirëpritur, por një hapësirë ku stafi që pinë të ndihet rehat – atëherë të gjithë fitojnë.”
Burimi: BBC/ Përshtati: Gazeta Si
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.