Nga Fatjon Rupi – Ndeshja e Kombëtares në Poloni më 27 mars evidentoi dy protagonistë mbi të tjerët. Nuk janë të ngjashëm me njëri-tjetrin. I pari është një shembull përulesie ndaj fanellës kuqezi, pse jo dhe për nivelin sportiv, ndërsa i dyti ende jo ai që shohim me skuadrat ku luan.
I pari është Enea Mihaj, i dyti Myrto Uzuni. Në ndeshjen e Varshavës mbrojtësi dhe sulmuesi ishin faktorë në fushë. I pari bëri që Shqipëria të mos pësonte më shumë se një gol, ndërsa i dyti që ajo të dilte pa pikë nga transferta e parë e kualifikueseve të Euro 2024.

Enea Mihaj meriton vërtet komplimente për paraqitjen shumë të mirë në atë ndeshje, por mbi të gjitha për sjelljen e tij profesionale. Në fushë asnjë gabim, gati ndeshja perfekte, jashtë saj një model përulësie ndaj fanellës së Kombëtares. Siç duhet të bëjnë të gjithë normalisht.
Në listën fillestare të Silvinjos mbrojtësi e pa veten jashtë. Asnjë polemikë, edhe pse e dinte se e meritonte para dikujt, si për shembull Veselit dhe Mersinajt, siç e vërtetoi koha më pas. Pas dëmtimit të Ismajlit, stafi kuqezi e thirri Mihajn dhe ai menjëherë u përgjigj. Madje, me atë që dha në stërvitje e bindi Silvinjon për t’i besuar fanellën e titullarit përkrah Kumbullës. Gjithashtu, i tregoi me shumë butësi brazilianit se kishte gabuar.

Mihaj bëri një ndeshje për kornizë, të paktën dy herë shpëtoi portën tonë nga goli. Në rastin e parë duke mbyllur me shumë zgjuarsi një nga lojtarët polake që po bëhej gati të godiste pasi hyri rrezikshëm në zonë. Në pjesën e dytë largoi topin para se të kalonte vijën, pasi Levandovski kishte mposhtur Strakoshën me një parabël. Me lojën dhe qëndrimin e tij Mihaj me siguri ka fituar shumë pikë në syrtë e Silvinjos.
‘Nëse unë luaj, më mirë për mua. Nëse Kombëtarja fiton dhe luan dikush tjetër para meje, përsëri është shumë mirë’, – tha mbrojtësi shtatlartë pas ndeshjes në Poloni.
Një ndeshje relativisht të mirë bëri edhe protagonisti tjetër, Myrto Uzuni, por edhe një herë ai tregoi si mbetet ai ‘bomberi i provincës’. Një sulmues që shënon lehtë me klubet e tij, në kampionatin kroat, atë hungarez dhe në Ligën 2 të Spanjës. Por kur vjen puna te Kombëtarja duket se beratasit i zvogëlohet porta. Deri tani të paktën.

Uzuni kishte dy mundësi të mira për t’u shndërruar në ‘hero’. Të parën ia mohoi Shezni, një nga portierët më të mirë në Europë, të dytën e shpërdoroi vetë, kuptohet kundër dëshirës. Nuk mund t’ia mohojë askush meritat: Sulmuesi përpiqet shumë, bën presing, por mungojnë golat ‘e rëndë’, golat vendimtarë.
E thënë më qartë, Uzuni nuk ka mundur në asnjë rast të bëjë Brojën. Sulmuesi i Çelsit, me 2 golat ndaj Hungarisë, njërin nga të cilët e nxorri nga hiçi, i dha 6 pikë Shqipërisë në kualifikueset e mëparshme. Varshava nuk ishte rasti i vetëm për sulmuesin e Granadës, edhe më parë ai ka humbur raste që mund të ndryshonin fatet e ndeshjes. Mund të përmendim një rast flagrant me Anglinë.

Mund të jetë fati i keq që e përndjek, mund të jetë edhe një ngërç psikologjik në Kombëtare, fakt është që Uzuni kuqezi ndryshon nga ai i klubeve. Beratasi mbetet ende një bomber… ‘province’.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




