Gazeta Si - Ka dështuar këtë të enjte seanca e parë në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për aferën e inceneratorit të Elbasanit.
Shkak për këtë është bërë mungesa e dy avokatëve, konkretisht i Etleva Kondit, e cila ishte e pranishme, por kërkoi të ishte i pranishëm edhe avokati që ndodhej jashtë Shqipërisë dhe avokati i kompanisë “Albtek Energi shpk”.
Seanca e radhës u caktua me 7 prill, në orën 14:30, ndërkohë që pas kësaj date, procesi do të zhvillohet çdo të enjte 09:30
Ish-sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit, Alqi Bllako dhe ish-ministri Lefter Koka nuk ishin të pranishëm.
Të pandehur për inceneratorin e Elbasanit janë, Lefter Koka, Alqi Bllako, Mirel Mërtiri, Klodian Zoto, Stela Gugallja, Pëllumb Abeshi, Etleva Kondi, Jonida Zeqo, Bardhyl Çabiri, Serafin Papa.
Nga këta, në qeli qëndrojnë Lefter Koka, Alqi Bllako, Pëllumb Abeshi dhe Bardhyl Çabiri. Ndërsa në arrest shtëpie qëndrojnë Jonida Zeqo, Etleva Kondi e Serafin Papa. Në kërkim janë tre administratorët e inceneratorit, Klodian Zoto, Mirel Mërtiri e Stela Gugallja.
Të gjithë të pandehurit, akuzohen për “Shpërdorimi i detyrës”, “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”.
Prokuroria përfaqësohej nga Klodian Braho që ka qenë edhe pjesë e seancës paraprake. Me autorizim të kryeprokurorit të SPAK, Altin Dumanit, i është bashkuar përfaqësimit të akuzës edhe Arben Kraja.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.