Gazeta Si – Shqipëria e trajnerit Silvinjo e nisi rrugëtimin drejt Europianit ‘Gjermani 2024’ me humbje në transfertën e Polonisë. Një debutim i hidhur, pavarësisht lojës së mirë në Varshavë.
Për debutim e Shqipërisë ka folur presidenti i FSHF-së, Armand Duka, në një intervistë për ‘fshf.org’. Ai nuk e fsheh zhgënjimin dhe ka theksuar se koha e humbjeve dinjitoze është tejkaluar tashmë.
“E nisëm këtë rrugëtim kualifikues ndaj skuadrës kokë grupi. Sigurisht, e dinim që do të ishte e fortë por kishim përgatitur gjithҫka për të dalë me rezultat pozitiv. Për atë që dhamë në fushë, duhet të kishim marrë diҫka më shumë, por kjo nuk ndodhi.

I përgëzoj lojtarët dhe stafin teknik për impenjimin e treguar, por koha e humbjeve dinjitoze është e tejkaluar. Kurrësesi nuk mund të kënaqemi me një humbje të tillë. Duhet të rritemi, të punojmë më shumë. Duhet ta kuptojmë të gjithë, ne, ekipi e stafi drejtues se kemi humbur në Varshavë”, – është shprehur Duka, duke dhënë një mesazh të qartë për ekipin dhe stafin.
“Nuk mund të hyj në aspekte teknike, është detyrë e stafit teknik të analizojë atë ndeshje dhe të nxjerrë konkluzionet. Duhet të fokusohemi për t’u përmirësuar dhe parë atë skuadër, që të gjithë ne duam. Për të fituar një ndeshje dhe për të arritur objektivat duhet të konkretizosh rastet. Këtë nuk po e bëjmë dhe në të tilla nivele e dimë se vlejnë pikët më shumë. Të gjithë duhet të bëjmë diҫka më shumë”, – shtoi Duka.
Pastaj ai komentoi edhe ndeshjet e ardhshme: “Qershori na rikthen në shtëpi ndaj Moldavisë dhe transfertën e Ishujve Faroe. Dy ndeshje shumë të vështira. Do të kemi përballë një Moldavi krejt tjetër nga ajo e tre viteve më parë, u pa ndaj Çekisë.
Duhet të zbresim në fushë të karikuar për të arritur fitoren. Intensiteti, përkushtimi dhe përqendrrimi duhet të jenë maksimal. Dy ndeshjet e qershorit janë më të rëndësishmet për ne, nse gabojmë largohemi nga objektivi.
Jemi totalisht në lojë dhe objektivi mbetet i pandryshuar: kualifikimi. Kemi përpara 7 finale, ku duhet të jemi perfektë në ҫdo aspekt. Nuk lejohen hapat fals, duhet të luftojmë për ҫdo pikë. Cilësitë skuadra i ka, stafi teknik është shumë i impenjuar për të bërë më të mirën”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




