Gazeta Si – Shqipëria kthehet me humbje nga Polonia, ku luajti ndeshjen e parë kualifikuese të Euro 2024. Një humbje 1-0 e pamerituar, po të kemi parasysh atë që skuadrat dhanë në fushë. Shqipëria krijoi më shumë raste të rrezikshme, por pa mundur të shënonte, ndërkohë që u ndëshkua në të vetmin gabim që bëri.
Trajneri Silvinjo debutoi me humbje në stolin kuqezi, por duhet theksuar se skuadra në fushë ishte. Braziliani hodhi në fushë një skuadër sulmuese, me Cikalleshin, Uzunin dhe Asanin përpara. Shqipëria ishte kompakte dhe e përballoi mirë kundërshtarin. Cikalleshi dha sinjalin e parë, por u ndal nga Sheznin.

Në fundin e pjesës së parë Sviderski shënoi golin e vetëm të ndeshjes. Strakoshën e shpëtoi shtylla e majtë nga një goditje nga jashtë zonës, por aty përfitoi Sviderski, që mposhti portierin kuqezi me një goditje të lehtë.
Në pjesën e dytë Shqipëria pati të paktën tre raste të pastra goli, dy nga të cilat me Uzunin. Beratasi gjuajti nga një pozicion diagonal, por pa mundur ta kalonte Sheznin, që një minutë më pas ndali edhe gjuajtjen e fuqishme të Asllanit.
Trajneri Silvinjo hodhi në fushë Mehmetin, Seferin dhe Bajramin. Ky i fundit dha një pasim të artë për Uzunin, që në qendër të zonës nuk gjeti goditjen fituese dhe e nxorri topin jashtë. Kuqezinjtë dalin të mundur nga një ndeshje, ku prodhuan futboll dhe raste.
Cikalleshi punoi shumë për ekipin, duke bërë rolin e liderit. Asani dha sinjale pozitive, skuadra ishte më e shpejtë dhe me ide të qarta. Të gjitha këto japin shpresë për ndeshjet e tjera në grup. Çekia udhëheq grupin me 4 pikë pas dy ndeshjesh, pastaj vjen Polonia me 3 dhe Moldavia me 1 pikë.

Episodet
88′ – Uzuni ka në këmbë topin e parazimit pas pasimit të Bajramit nga e majta, pot nuk gjen kuadratin, duke falur polakët.
63′ – Levandovski futet bukur në zonë dhe tenton golin me një parabol, por ndërhyn me shpejtësi Mihaj, duke larguar topin.
59′ – Kristjan Asllani rrëmben një top, futet në zonë dhe gjuan fort, Shezni grushton.
58′ – Uzuni gjuan rrezikshëm me të djathtën, Shezni devijon në këndore me majata e gishtave.
41′ – Shënon Polonia. Sviderski ndalon në zonë me vështirësi topin e kthyer nga shtylla dhe me një goditje të lehtë të zgjuar, e dërgon në rrjetë. 1-0.
22′ – Cikalleshi gjuan fort nga jashtë zonës, Shezni e nxjerr topin në këndore.
12′ – Rastri i parë i rrezikshëm. Gjuan Zalevski, pret Strakosha në pozicion.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




