Politike

Të djathtët zgjedhin ‘prijësin’ e fushatës për PE

Partitë Popullore Europiane zgjodhën eurodeputetin gjerman, Manfred Webber si kandidatura e tyre për President të Komisionit Europian, përmes procesit të njohur si “Spitzenkandidat”, ose “kandidati udhëheqës” për zgjedhjet e Parlamentit Europian, që zhvillohen në maj të vitit të ardhshëm.

Webber fitoi 79 për qind të mbështetjes së partive anëtare të PPE-së përballë kandidaturës së ish-kryeministrit finlandez, Alexander Stubb.

Si anëtare me të drejtë vote në PPE, në këtë Kongres mori pjesë edhe një delegacion i Partisë Demokratike, kryesuar nga kryetari Lulzim Basha. Përmes rrjeteve sociale, Basha kishte bërë publike votën e PD-së për eurodeputetin gjerman.

https://www.facebook.com/lulzimbasha.al/videos/2359664220730015/

Grupimi i Partive Popullore Europiane është grupimi më i madh në Parlamentin Europian dhe me Manfred Webber, ky grupim kërkon që të ruajë pozicionin e Presidentit të Komisionit, që aktualisht mbahet nga Jean-Claude Juncker, një tjetër figurë kryesore e PPE-së.

Megjithëse që prej 2004 eurodeputet i Gjermanisë në PE, Manfred Webber njihet pak ose aspak jashtë qarqeve të ngushta të Brukselit. Por, kjo nuk e penalizoi që të zgjidhej si “kandidat udhëheqës” në fushatën për PE-në pranverën e ardhshme.

“Jam këtu përballë jush jo vetëm për t’u kërkuar mbështetjen si kandidat udhëheqës, por edhe për t’u kërkuar mbështetjen për një mandat për të ndryshuar Europën”, deklaroi ai në fjalimin e shkurtër të mbajtur para procesit të votimit.

Përballë, si “kandidat udhëheqës”, gjasat janë që Webber të ketë ish-ministrin e Jashtëm holandez, Frans Timmermans, i cili është kandidatura e vetme deri më tani tek Partia Socialiste Europiane.

Sondazhet e deritanishme sugjerojnë se të djathtët e PPE-së, edhe pse do të humbasin terren përballë ekstremistëve majtas e djathtas, do të vazhdojnë të jenë grupimi më i madh në Parlamentin Europian, por kjo nuk do të thotë se Manfred Webber do të jetë automatikisht pasues i Jean-Claude Juncker si President i Komisionit.

Në muajin maj, votuesit në 27 vendet anëtare të Bashkimit Europian do të zgjedhin 705 anëtarët e Parlamentit Europian. Pas këtij procesi, të gjitha postet drejtuese, përfshirë Presidentin e Komisionit, Këshillit dhe të Parlamentit do të jenë të hapura për ndryshim.

Me procesin e “kandidatit udhëheqës”, krerët e shteteve dhe qeverive anëtare në Këshillin Europian parashikohet që të propozojnë emrin partia e të cilit fiton më shumë vende në PE, ose të paktën emrin që siguron shumicën e votave në PE, edhe përmes koalicioneve paszgjedhore që mund të ndërtohen. Më pas, i nominuari i Këshillit duhet të marrë mbështetjen e PE-së.

Por, udhëheqësit e Këshillit Europian e kanë shprehur qartë se nuk do të ndikohen plotësisht nga kjo normë e re e vendosur nga dy grupimet kryesore parlamentare në PE, e cila nuk sanksionohet në asnjë traktat dhe asnjë ligj të BE-së. Kjo do të thotë se udhëheqësit e BE-së rezervojnë të drejtën për të mos nominuar kandidatin fitues, por dikë tjetër.

Grupimi tjetër në PE, Aleanca e Liberalëve dhe Demokratëve për Europën ka refuzuar që të caktojë një emër për “kandidat udhëheqës”, duke akuzuar se ky lloj sistemi është ngritur për të favorizuar qendrën e djathtë të PPE-së.

Udhëheqësit e ALDE-s janë në bisedime për të ndërtuar një aleancë me Presidentin francez, Emmanuel Macron, i cili nuk i përket asnjë grupimi tradicional partishë europiane. Macron ka shprehur kundërshtinë e tij kundër idesë së “kandidatit udhëheqës”, një kendvështrim që e vendosi në qendër të kritikave të konservatorëve në Kongresin e Helsinkit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë