Gazeta Si – Kombëtarja ka nisur grumbullimin të dielën dhe sot përgatitjet për ndeshjen me Poloninë në kualifikueset e Euro 2024. Sokol Cikalleshi dhe Jasir Asani ishin dy lojtarët e parë që dolën në konferencë shtypi, i pari një veteran dhe i dyti i grumbulluar për herë të parë me kuqezinjtë.
Sulmuesi Cikalleshi e sheh ndeshje në Varshavë si më të vështirën në grup dhe një rezultat pozitiv atje, sipas kavajasit, do të ishte një shtysë e fortë për kualifikimin e mundshëm për në Europian.
“Tani nis një edicion i ri për ne, ndeshja e parë është nga më të vështirat. Polonia është më e forta në grup dhe duke u nisur nga kualifikueset e fundit, uroj të kemi rezultate të mira. Çdo lojtar që do të luajë në sulm, duhet të japë maksimumin. Uroj të jetë ‘fillimi i mbarë, gjysma e punës’, sepse nëse marrim rezultat në Poloni, gjërat thjeshtohen.
Stafi i ri do kohën që të njohë skuadrën dhe ne të njohim trajnerin. Duhet të shkojmë në Varshavë sa më të përgatitur. Është e vështirë, por kjo ndeshje mund të na japë shtysën për kualifikimin, mund të na japë më shumë besim, nëse marrim rezultat pozitiv atje.
Mungesat? Janë nga lojtarët më të rëndësishëm të Kombëtares, e kanë treguar në fushë. Na ka qëlluar edhe më parë me Poloninë, në një ndsahje shumë të rëndësishme në Tiranë, ku kishim mungesa të shumta, por nuk duhet të përqendrohemi aty, të shohim anët pozitive. Janë 23 lojtarë dhe nuk ka diferenca më të mëdha.
Në Poloni bëmë një ndeshje të mirë edhe në kualifikueset e Botërorit, ishte edhe një penallti e Manajt që nuk u dha. Nuk do kemi pishmane, nëse gabojmë më pak në ndeshjen e kësaj radhe. Nuk ndihem lider në skuadër, jap gjithçka për skuadrën në fushë. Ne do të hyjmë në fushë për fitore, por edhe barazimi do të ishte një nisje e mirë”, – ka thënë mes të tjerash sulmuesi Cikalleshi.
Jasir Asani, ish-lojtar i Partizanit, ka folur për emocionet e ftesës kuqezi, duke pohuar se çdo shqiptar i Maqedonisë së Veriut ëndërron të luajë për Shqipërinë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




