Trend

Sa e mundur është sot të bësh detoks digjital?

Është më e vështirë se kurrë të largohemi nga pajisjet tona dhe pyetja që të gjithë ekspertët po bëjnë është: në këtë pikë, a ia vlen sikur dhe thjesht ta provosh?

Në shkurt u publikua lajmi se CEO i kompanisë së marketingut 'Salesforce', Marc Benioff, kishte bërë një "detoks digjital": 10 ditë pa teknologji në një rezort francez. Për një grup të vogël njerëzish, një hap prapa nga pajisjet është një ëndërr e arritshme, por për shumicën, është e pamundur, veçanërisht tani.

Një detoks dixhital kërkon një pushim total nga çdo pajisje teknologjike për disa ditë. Kjo bëhet për të reduktuar stresin ose akthin dhe për të bërë rilidhjen me botën fizike. Megjithëse nuk ka përfitime të vërtetuara shkencërisht nga periudhat e detoksit dixhital, kjo nuk e ka penguar këtë të fundit të kthehet në një sfidë për shumë njerëz.

Por kjo sfidë është bërë shumë më e vështirë për t'u përmbushur që nga viti 2012, kur studiuesit përdorën për herë të parë termin. Ekranet ishin tashmë të rëndësishme atëherë, edhe me versionet e reja të aplikacioneve dhe mediave sociale. Megjithatë, përpjekja për një detoksifikim dixhital në vitin 2012 ka qenë shumë më e thjeshtë në krahasim me tani, kur më shumë se kurrë, jeta jonë është e pamundur të shkëputet nga teknologjia. Ne punojmë në kompjuterët dhe tabletët tanë dhe mbajmë marrëdhënie përmes aplikacioneve. Dhe që nga pandemia, lidhja jonë me teknologjinë është intensifikuar edhe më tej.

Një detoks digjital në 2023, sa i mundur është?

Ekspertët thonë se një detoks dixhital nuk është më i realizueshëm për shumicën e njerëzve.

“Teknologjia është pjesë e jona tani. Ne shohim të dhënat tona me një aplikacion, lexojmë menutë e restoranteve në telefon dhe madje stërvitemi me instruktorët përmes një ekrani”, thotë Emily Cherkin, eksperte në menaxhimin e kohës para ekranit.

Ajo thotë se teknologjia është aq e ngulitur në jetën tonë sa nëse vendosim të qëndrojmë pa të për një kohë, kemi ‘firmosur’ dështimin tonë në punë dhe jetë.

“Një detoks dixhital është deri diku i pamundur por mund të ketë zgjidhje të tjera për të pakësuar obsesionin tonë me teknologjinë, pa u detyruar të shkëputemi plotësisht”.

Një studim i vitit 2022 i Universitetit të Leeds tregoi se 54% e të rriturve përdorin pajisjet më shpesh tani sesa përpara pandemisë dhe gjysma e të anketuarve i përdorin ato për 11 orë ose më shumë çdo ditë.

Kjo rritje e kohës para ekranit ka ndryshuar gjithashtu mënyrën se si ne lidhemi me njëri-tjetrin. Marrëdhëniet kritike janë bërë më të dixhitalizuara, pasi kemi krijuar komunitete në grupet WhatsApp, kemi zëvendësuar vizitat familjare me telefonatat javore FaceTime dhe më shumë.

Detoksi dixhital konsiderohet si një ilaç për lehtësimin e ankthit por duke qenë se jeta dhe teknologjia janë më të pandashme tashmë, idealizimi i shkëputjes mund të përfundojë duke shkaktuar më shumë ankth.

“Nuk mund ta lë pa përdorur teknologjinë”, thotë Sina Joneidy, pedagoge në Universitetin Teeside. Joneidy thotë se në vend se të shkëputet totalisht nga teknologjia, ajo praktikon “vetëdijen dixhitale”.

“Unë sigurohem që ta përdor teknologjinë atëherë kur më duhet”.

Vetëdija dixhitale mund të jetë më praktike për disa njerëz, në vend të një detoksifikimi të plotë. Më pak shqetësim për ndërprerjen e plotë të teknologjisë dhe më shumë fokus në të qenit i qëllimshëm me përdorimin e saj.

Burimi: BBC. Përshtati: Gazeta Si.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë