Rend dhe Ligj

Atentati në Tiranë, vritet banakierja e një lokali. Edhe 5 të plagosur. Lëndohet dhe mbesa 10 vjeçare e viktimës

Gazeta Si - Një grua 60 vjeçe ka mbetur e vrarë, ndërsa 5 persona janë plagosur nga të shtënat me armë zjarri mbrëmjen e kësaj të diele në Tiranë në një lokal në zonën e Don Boskos. Mes të plagosurve, është edhe një vajzë 10-vjeçare, që ka marrë plagë nga thyerja e xhamave të lokalit.

Persona ende të pa identifikuar qëlluan me breshëri në drejtim të një lokali, që është në pronësi të Fatjon Muratit, një personazh i njohur i botës së krimit. Ai ka qënë nën masën e sigurisë "arrest shtëpie" pas arrestimit, ndërsa gjatë kontrollit nuk është gjetur në banesën e tij.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 21:05, ku është qëlluar me armë zjarri nga persona të paidentifikuar. Si pasojë, ka humbur jetën shtetasja Mimoza Paja, rreth 60 vjeçe, banakierja e lokalit, si dhe janë plagosur shtetasit: Sahit Murati, 50 vjeç, Astrit Meraj, 42 vjeç, Emanule Sala, 47 vjeçe, Ermir Bejuku, 45 vjeç, Genc Shohalli, 55 vjeç, të cilët ndodhen nën kujdesin e mjekëve. Gjithashtu është lënduar në dorë nga ciflat e xhamave, një e mitur 10-vjeçare.

Gjendja

Pesë personat që mbetën të plagosur nga të shtënat me armë zjarri janë jashtë rrezikut për jetën. Njëri ka marrë plumb në gjoks, një tjetër ka marrë të shtëna në kofshë.

Po ashtu një tjetër i plagosur është qëlluar me plumb në gjoks e në kokë, por fatmirësisht e ka kapur në sipërfaqe dhe nuk i ka prekur organet jetike.

Të shtënat kanë qënë nga jashtë lokalit dhe deri tani nuk raportohet se ka patur kundërpërgjigje. Dy autorët dyshohet se kanë lëvizur me dy motorë, por ende nuk dihen rrethanat dhe shkaqet e ngjarjes.

Ndërkohë janë ngritur pika kontrolli në bashkëpunim me Drejtoritë Vendore të Policisë Durrës, Elbasan, Lezhë e Dibër.

Kush është Fatjon Murati

Lokali ku ka ndodhur ngjarja është në pronësi të Fatjon Muratit, një eksponent dhe i arrestuar më parë si pjesë e një grupi kriminal.

Murati u arrestua më 8 tetor në Tiranë, pasi ishte shpallur në kërkim i akuzuar se zotëronte një arsenal armësh, të kapur nga policia më 13 korrik. 32-vjeçari ka qenë duke lëvizur në një makinë të blinduar me Indrit Doklen dhe kunatin e tij Gentian Reçi.

Murati ishte shpallur në kërkim, sepse efektivët kishin gjetur gjurmët e tij të gishtërinjve në kutinë e një arme, ditën kur u zbulua edhe baza e armatimeve në Tiranë, që i përkiste Kristjan Gjinit.

Murati ka qënë nën masën e sigurisë "arrest shtëpie" pas arrestimit, ndërsa gjatë kontrollit ai nuk është gjetur në banesën e tij dhe dyshohet se është larguar nga Shqipëria.

Akuzat

Murati ka deklaruar se nuk ka lidhje me arsenalin e armëve, por sipas tij gjithçka është aksidentale. Para togave të zeza, ai tha se njihej me Kristjan Gjinin dhe para disa kohësh i ka marrë makinën.

Sipas tij, ai ka pastruar pjesën e pasme të makinës së Gjinit, ku ka lëvizur edhe ca kuti letre, tek të cilat dyshon se ka mbetur gishti, por ai ka thënë se nuk kishte dijeni se çfarë kishin brenda. Murati vijon të qëndrojë në burg, ndërsa Dokle dhe Reçi janë liruar.

Fatjon Murati ka qenë një ndër personat që është kërkuar nga Prokuroria Kurbin për t’u marrë në pyetje ku mbetën të vrarë verën e shkuar në Fushë-Krujë tre miq të Ervis Martinajt, si i dyshuar se ishte një nga organizatorët e atentatit.

Po për të njëjtën ngjarje është pyetur edhe Indrit Dokle, i cili ka deklaruar se nuk ka asnjë lidhje atentatin dhe më pas është lënë i lirë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë