Gazeta Si – Një ditë pas aksidentit masiv te “Ura e Shallvareve”, Policia e Tiranës ka sekuestruar kartelën mjekësore të drejtuesit të autobusit që humbi kontrollin e mjetit.
Kjo pasi para hetuesve ai ka deklaruar se nuk ndodhej në gjendje të mirë në momentin e aksidentit pasi vuan nga zemra dhe diabeti.
Hetuesit kanë ngritur dyshime edhe për mënyrën e funksionimit të mjetit urban me firzamonikë.
Sipas dokumenteve, mjeti kishte kontroll teknik të rregull deri në muajin shtator megjithatë ekspertiza pritet të zbardhë faktin nëse ka pasur problem teknike.
Ekspertët e sigurisë rrugore në Policinë e Shtetit, duan të verifikojnë dinamikën e ngjarjes, nëse aksidenti është shkaktuar nga një gjendje shëndetësore e shoferit Agron Xhafa apo ka qenë një defekt teknik i mjetit.
Sipas shkeljeve të gjetura deri më tani, ekspertët konstatojnë se mjeti sapo ka kaluar semaforin tek Piramida nuk ka mbajtur korsinë e tij, e cila është e dedikuar për transportin publik, por ka qëndruar në atë ku lëviznin automjetet.
Një tjetër dyshim, është pse urbani nuk ka frenuar në momentin që po i afrohej stacionit të autobusit, ku do të merrte qytetarët.
Grupi hetimor ka nisur edhe ekspertimin autoteknik të autobusit, nëse ka qenë ose në kushte të mira teknike kur ndodhi ngjarja.
Për llogari të hetimit janë marrë edhe pasagjerët në autobus. Në momentin e aksidentit ndodheshin 40 pasagjerë. Disa prej tyre morën lëndime të lehta.
Më herët, policia arrestoi shoferin Agron Xhafa, 63 vjeç, i cili akuzohet për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.
Si pasojë e aksidentit, u plagosën 10 persona, mes tyre 5 drejtues mjetesh, përfshirë shoferin e autobusit. Nga 5 pasagjerët e plagosur, 4 kanë qenë në autobus dhe njëri në makinën e parë që autobusi ka goditur.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




