Gazeta Si – Kontrolli i kultivimit të kanabisit do të shtrihet jo vetëm në ambiente të jashtme por edhe në ato të brendshme, ku muajin e kaluar u zbulua një “vilë bari” në Vlorë.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku ka nxjerrë një urdhër për vartësit e tij në funksion të parandalimit të kultivimit të bimëve narkotike kanabis.
Porosia u drejtohet drejtorëve të policisë në qarqe dhe atyre të kufirit, për të kontrolluar ambientet e mbyllura të dyshuara për kultivim të kanabisit, për kontroll të përjavshëm të terrenit, për kontrolle në bazë të analizës së riskut në pikat e kalimit kufitar dhe për patrullime të shtuara në kufirin tokësor dhe në atë detar.
Në urdhrin e Rrumbullakut, thuhet se nevojitet bashkëpunim me OSHEE-në në qarqe, për të evidentuar lidhjet e paligjshme të energjisë elektrike.
“Në rast se nga agjenci të tjera ligjzbatuese, do të konstatohen bimë narkotike të kultivuara në terren të hapur apo në ambiente të mbyllura, përgjegjësia do të jetë mbi zinxhirin drejtues të drejtorisë dhe të komisariatit përkatës”, – është poroi e kryepolicit të Shqipërisë.
Në muajt janar-shkurt të këtij viti, janë goditur disa raste në Durrës, Fier dhe Vlorë, ku 3 vila ishin përshtatur për kultivim të bimëve narkotike me anë të llambave.
Gjithashtu u zbulua një magazinë në Kropishtë të Selenicës. Në këto operacione, janë arrestuar 13 shtetas, nga këta 8 punonjës të OSHEE-së ndërsa janë në kërkim tre të tjerë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




