Gazeta Si – Autobusi i linjës së Unazës është përfshirë këtë të hënë në një aksident, duke u përplasur me 6 makina tek “Ura e Shallvareve”. Nga përplasja, 9 persona kanë mbetur të dëmtuar, mes tyre dhe shoferi i autobusit, ndërsa të gjithë janë jashtë rrezikut për jetën.
Si pasojë janë dëmtuar A. Xh., 63 vjeç, (drejtuesi i autobusit), M. S., 35 vjeçe; G. P., 27 vjeç dhe V. P., 27 vjeç; O. G., 52 vjeç dhe J. C., 31 vjeçe, D. N., 27 vjeç, K. A., dhe E. H., të cilët ndodhen nën kujdesin e mjekëve. Policia sqaron se pas testit të alkoolit, drejtuesi i autobusit nuk ka rezultuar nën efektin e pijeve alkoolike.
Pamjet e kamerave të sigurisë tregojnë momentin kur një makinë del para urbanit të linjës së Unazës, që më pas humbet kontrollin dhe përplas mjetet e tjera që janë të ndaluara në semafor.
Shoferi i urbanit e ka pasur të pamundur të reagonte për ta shmangur aksidentin, që si pasojë do të shkaktonte dhe një përplasje masive të automjeteve aty pranë.
Nga pamjet shihet qartë edhe shkatërrimi i stacioni të urbanit nga makina që i preu rrugën autobusit. Pas kësaj, u shkaktua një aksident zinxhir, në të cilin u përfshinë disa makina.


Urbani i linjës së Unazës ka pësuar dëme të shumta materiale, bashkë me mjetet e tjera, ndërsa pasagjerët kanë marrë ndihmën e parë nga mjekët dhe mjetet e ambulancës që mbërritën në vendin e aksidentit.
Nga pamjet duket se përplasja ka qenë e fortë, pasi disa mjete, përfshirë këtu edhe autobusin e linjës së Unazës janë dëmtuar rëndë.
Shefi i qarkullimit për Tiranën, Taulant Gjoka, tha për mediat se 3 prej të lënduarve janë drejtues mjetesh.
“Aktualisht në ambientet e Spitalit të Traumës janë 6 persona. Nga të dhënat paraprake që kemi asnjë nga të dëmtuarit nuk ka rrezik për jetën. Nga 6 të dëmtuar, 2 janë drejtues mjetesh dhe drejtuesi i autobusit. Në lidhje me shkaqet e aksidentit është shumë shpejt për të dalë në një përfundim para jush. Dëmet janë të konsiderueshme, ka vend për të dyshuar për shpejtësi, por akoma jemi në momentet e para të hetimit”, tha Gjoka.



Disa qytetarë të lënduar më lehtë, kanë marrë mjekim në vendngjarje. Në vendngjarje kanë shkuar drejtues të lartë të policisë, si dhe kreu i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj. Deri më tani nuk dihen ende rrethanat e ngjarjes.
Kjo nuk është hera e parë që autobusët e Unazës paraqesin probleme në rrugët e kryeqytetit. Pas “fluturimit” në Lanë më pak se një vit më parë të një autobusi të Unazës, pati disa incidente të tjera me urbanë të linjave të tjera.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.



