Ne rrjet

Messina Denaro dhe lufta në Ukrainë, bisedat sekrete të kryemafiozit që mban anën e Putinit: SHBA po e sulmon

Mesazhet e papublikuara të bosit mafioz të “Cosa Nostra”-s, i cili sulmon presidentin ukrainas Zelenski dhe Perëndimin: "Ndaloni furnizimin me armë dhe lufta do të përfundojë"

Gazeta Si - Ndoshta jo rastësisht, ndër librat e gjetur në “strehën” e Campobello di Mazaras, spikatën biografitë e Putinit dhe Hitlerit.

Bosi Matteo Messina Denaro e përshkruan veten si një lloj super-njeri, "një njohës i madh i njerëzve" që "ka shkelur jetën".

Një lajthitje e plotfuqishmërisë që e shtyn atë të diskutojë edhe gjeopolitikën, me gjykime shumë të ashpra, por edhe shqetësuese për Ukrainën dhe presidentin e saj Volodymyr Zelenski.

Nëse do të varej prej tij, lufta tashmë do të kishte përfunduar: mjafton që të bëhej ashtu siç kërkonte Putini.

Kështu del nga audiot e tjera të chatit që ai ka bërë me një paciente që ka takuar në klinikën “La Maddalena”.

Gruaja (e njëjta që kishte qenë në studio 15 ditë më parë), mbrëmë u lidh nga Siçilia me transmetimin e emisionit “Non è l'Arena” nga Massimo Giletti, në televizionin “La7”.

Gjatë episodit, u zbuluan ekskluzivisht audio dhe mesazhe të papublikuara për luftën në vazhdim.

Bosi mafioz kujton. “Kur ndodhi Çernobili në vitin 1986, nëna ime priti dy vajza ukrainase nga familje shumë të pasura... - thotë ai.- Ato u mikpritën me një pjatë argjendi për dy vjet, por kur u larguan, nuk u morën vesh më. Nëna ime u përpoq të kontaktonte me to, por nuk u përgjigjën. Kështu janë ata njerëz... E di që je pro Ukrainës, unë jam pro qytetërimit, por ukrainasit e kanë gabim. E para nga të gjitha është ky… pseudo president (Zelenski). Një zero, që po vret shumë civilë për të qenë megalloman, sepse do të donte një luftë botërore”.

Dhe më pas sulmon Evropën dhe Shtetet e Bashkuara. “Pse, në vend të furnizimit me armë, shtetet perëndimore nuk i thonë këtij...presidenti të largohet? T’i rregullojnë gjërat dhe t’i japin ndihma humanitare… Kur bëhet fjalë për këtë, ju siguroj se do të jem i pari që do të jap bamirësi për këta njerëz”.

Nuk mund të mungonte lavdërimi i Putinit. “Nuk është Putini ai që dëshiron të vendosë raketa në Amerikë, është e kundërta: janë amerikanët që duan të vendosin raketa në vend të Putinit. Sigurisht, nëse Putini nuk do të ishte një fuqi bërthamore, Amerika do ta kishte bombarduar atë deri më tani, siç bënë në Libi. Konflikti lindi në vitin 2014, nxitën një grusht shteti, ky u ngrit... dhe kanë 8 vjet që vrasin njerëz në Donbass. Mijëra rusë kanë vdekur vitet e fundit, por ju nuk e dini, sepse gazetat nuk thonë asgjë. Tani e kuptojnë sepse të vdekurit janë në anën tjetër”.

Një shef llafazan që pas diskutimesh mbi gjeopolitikën, nuk e përçmon vetëfestimin. “Duhet të keni parasysh se unë jam tani në pleqëri, – thotë ai më 16 mars 2022. – Plus që nuk kam jetuar në dhomën e ndenjjes me pantofla. Unë jam dikush që më ka shkelur bota dhe më ka shkelur keq, domethënë e kam jetuar, pra kam përvojë”.

Në një mesazh tjetër, ai shton: “Edhe unë ha bukë e qepë dhe nëse nuk më beson jam njeri i përulur. Bëhem arrogant dhe krenar vetëm me ata që flasin për epërsi. Edhe nëse ju dukem pak i çmendur, jam njohës i njerëzve. Nëse flas me dikë, zakonisht e di se çfarë mendon”.

Në fund, një koment për sëmundjen (vuan nga tumori), të cilën ai nuk e përkufizon me emër: “Ende nuk e kam kaluar... trupi më ka tradhtuar, nuk e duroj dot. Kam pasur një jetë të bukur dhe këtë nuk e kisha parashikuar, nuk e kisha menduar kurrë... dhe nuk e pranoj, por jam luftëtar dhe nuk e them për guxim e as për retorikë, por sepse asgjë s’është e sigurt. Edhe nëse shpirti është e vështirë të vdesë”.

Biseda që kthejnë imazhin e një bosi mafioz me një ego të madhe, e cila pasqyrohet edhe në librat që ka lexuar dhe filmat që ka parë në arrati.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë