Rend dhe Ligj

Video / 6 të arrestuar për ‘vilën e barit’ në Vlorë, 4 elektricistë mes tyre. Operacioni pas një tentative vrasjeje

Gazeta Si – Autori i plagosjes me armë zjarri të një 40-vjeçari një ditë më parë në Vlorë, ka qenë zanafilla e zbulimit të dy “shtëpive të barit” në lagjen “10 Korriku” dhe në Selenicë.

Pas sherrit të çastit mes Ledjon Zahajt dhe Dëfrim Pashajt, që përfundoi me plagosjen e këtij të fundit, policia ka ushtruar kontrolle në zonën pranë banesës së autorit. Pas kontrollit, në vilën luksoze të L.Xh., u zbuluan dy ambiente për kultivimin e bimëve narkotike.

Mësohet se autori i plagosjes, Ledjon Zahaj është kunati i L.Xh., personi i cili kishte në pronësi vilën ku kultivohej kanabisi.

Në kuadër të operacionit, gjashtë persona janë arrestuar dhe dy të tjerë janë shpallur në kërkim. Mes të arrestuarve, Edmond Begaj, Gentjan Metushi, Niko Dhimaj dhe Florjan Çaushaj punonin si faturistë të OSHEE-së. 

Siç shihet në video, dy kate të vilës, i pari dhe i treti ishin përshtatur për kultivim të bimëve narkotike.

Nga kontrolli në të dyja katet e banesës luksoze, u gjetën dhe u sekuestruan 534 bimë narkotike të kultivuara në vazo, 11 kilogramë lëndë narkotike në formë boçeje, 5 ventilatorë, 4 aspiratorë, 3 kondicionerë, 100 reflektorë, 23 impiante ngrohëse, 69 llamba, 6 filtra ajri, 1 armë gjahu, 3 aparate celulare, 1 automjet dhe sende të tjera të që shërbenin për kultivimin e bimëve narkotike me anë të llambave.

Pronari i kësaj vile, 42-vjeçari L.Xh., është shpallur në kërkim nga policia, ndërsa kunati i tij Zahaj, u arrestua në oborrin e vilës, si autor i dyshuar i tentativës së vrasjes së shtetasit Dëfrim Pashaj.

Policia e kishte nisur operacionin që prej orës 11:00 të së enjtes. Por kur shkuan pranë vilës, e cila është në pronësi të L.Xh., nuk kanë konstatuar asnjë person brenda.

Për këtë arsye, nisur edhe nga dyshimet e tyre se brenda kultivohej drogë, agjentët kanë pritur dhe e kanë mbajtur nën vëzhgim, duke mos ndërhyrë për momentin.

Por rreth orës 16:00, agjentët kanë konstatuar 38-vjeçarin Zahaj, i cili po ndiqej nga punonjësit e policisë, pasi më herët kishte tentuar të vriste Dëfrim Pashajn në zonën e “Ujit të Ftohtë” pas një konflikti çasti.

Zahaj është kapur në oborrin e vilës. Më pas, agjentët kanë hapur me forcë vilën dhe kanë zbuluar se kati i parë dhe kati i tretë i saj ishin përshtatur për kultivim kanabis.

Operacioni vijoi edhe në fshatin Kropishtë të Selenicës, ku gjatë kontrollit në pronësi të Dritan Koçirajt u gjetën dhe u sekuestruan 87 llamba, 12 transformatorë të vegjël elektrikë, 6 ventilatorë elektrikë, 4 kondicionerë dhe materiale bimore të dyshuara narkotike cannabis sativa.   


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë