Politike

Rama, ceremoni “flash” për prezantimin e Sandër Lleshit

Menjëherë pas votimit për shkarkimin në Parlament të ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, në ministrinë e Brendshme filluan përgatitjet për të pritur “ministrin e komanduar”, Sandër Lleshin.

I pari që nxitoi të shkonte në ministrinë e Brendshme ishte zv.ministri i Brendshëm, Julian Hodaj. Ndërsa pas marrjes së vendimit nga qeveria për emërimin e Lleshit si zv.ministër i Brendshëm, kanë mbërritur zv.ministrat e tjerë, së bashku me drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Ardi Veliu.

Pak minuta përpara nisjes së takimit do të mbërrinte edhe ish-ministri Fatmir Xhafaj, i pashoqëruar nga njeri, për të kryer edhe këtë akt të fundit në këtë ceremoni të pazakontë, për pritur një pasardhës të komanduar.

Nga Kryeministria për në Ministrinë e Brendshme,  Kryeministri Rama do të udhëtonte në makinën e tij së bashku me “ministrin” e ri të Brendshëm, Lleshin. Në orën 12:35 që të dy do të zbrisnin nga makina e kryeministrit për të ngjitur shkallët e ministrisë. Ata janë pritur nga zv.ministrja Kuko dhe sekretari i Përgjithshëm, Dritan Palnikaj. Xhafaj nuk ishte prezent, por në zyrën e ministrit. Në këtë takim ishin kryeministri Rama, Lleshi, të katër zv.ministrat, sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë, drejtori i Përgjthshëm i Policisë dhe ish-ministri Xhafaj.

Pas një prezantimi që zgjati jo më shumë se 25 minuta, i mbajtur me dyer të mbyllura, pa praninë e medias, nga godina e ministrisë së Brendshme dolën së bashku Rama dhe Xhafaj. Një dalje e parë publike i të dyve bashkë, pas 27 tetorit, ditës së deklaratave për dorëheqje dhe largime nëpërmjet postimeve në rrjetet sociale. Që të dy, si Rama dhe Xhafaj i shmangën deklarata për mediat. Ndërsa Lleshi vijoi takimin prezantues me stafin, vartësit dhe bashkëpunëtorët në ministri.

Rama dhe Xhafaj duke dalë pas prezantimit të zv.ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshi

Kryeministri, sipas burimeve, u ka bërë të ditur drejtuesve të tjerë në Ministrinë e Brendshme se Lleshi një mbështetje maksimale në këtë detyrë, duke kërkuar nga strukturat policore vijimin e punës në luftën kundër krimit të organizuar. Sipas burimeve, pas këtij takimi gjeneral Lleshi ka urdhëruar edhe një mbledhje me drejtorët e policive të 12 qarqeve, ku pritet të prezantojë edhe objektivat e tij.

Me emërimin e Lleshit si zv/ministër, Ministria e Brendshme është i vetmi dikaster me 5 zv/ministra në organikë. Zëvendësministrat e tjerë janë Romina Kuko, Besfort Lamellari, Julian Hodaj dhe Rovena Voda.

Në prezantimit të Fatmir Xhafajt, një vit më parë, të rokadës me Saimir Tahirin, kryeministri Rama nuk do të ishte prezent. Me këtë prezencë të sotme Rama kërkoi t’i jepte më tepër peshë kësaj ceremonie “flash”, pavarësisht se s’pati fjalim apo lidhje direkte me ERTV-në.

Beteja e radhës, bindja e Metës

Kryeministri Edi Rama, pas votimit për shkarkimin e Xhafajt, nxitoi që të mblidhte menjëherë qeverinë dhe ta çonte deri në fund zotimin se gjeneral Sandër Lleshi, do të ishte zv.ministër me “gradën” e një ministri të komanduar.

Pas mbledhjes së qeverisë, kryeministri postoi foton e ditës, e cila ishte pikërisht ajo me Sandër Lleshin në zyrën e Ramës.

Pas këtij veprimi si kundërpërgjigje ndaj refuzimit të Presidentit për ta dekretuar si ministër, mazhoranca ka shpallur lëvizjen e radhës. Pikërisht misionin për ta bindur Metën për ta pranuar kandidaturën e Lleshit si ministër të Brendshëm. Kjo u la të nënkuptohet nga fjalimi i kryeministrit në Parlament. Ndërsa edhe vetë përfaqësuesit e mazhorancës po japin deklarata më të zbutura, duke mos e sulmuar Presidentin dhe se socialistët do t’i jepnin kohë kreut të shtetit për reflektuar ndaj çështjes “Lleshi”. Kjo nënkupton se Rama mund ta paraqesë sërisht emrin e Lleshit për dekretim në Presidencë.

“Është një konflikt i sforcuar dhe urojmë mos kthehet në konflikt institucional ne do e rinisim kandidaturën e z.Lleshi te Presidenti.  Presidenti ka marrë kohën e gjatë për të hulumtuar, dhe jemi të lumtur që është një figurë e pastër dhe nuk kemi asnjë diskutim që është figura e duhur për të luftuar krimin në vend”, deklaroi në News 24, Elisa Spiropali.

Ajo tha ndër të tjera se shpreson që Presidenti të respektojë kushtetutën. “Z.Meta është një politikan i pjekur, tha ajo, dhe nuk kam arsye të dyshoj se do bëj detyrën deri në fund. Vendit i duhet një Ministër i Brendshëm me funksione të plota, ashtu sikundër tha edhe ambasadori i BE-së”.

Ndërsa mazhoranca pret që për këtë konflikt me Presidentin, ta dërgojë për interpretim në Gjykatën Kushtetuese, sigurisht kur ky institucion të jetë në funksion të plotë. Sipas kreut të grupit të PS-së, Taulant Balla, në janar pritet që ky institucion të jetë në funksion, çka nënkupton se në vitin e ardhshëm, kjo mund të jetë lëvizja e radhës së mazhorancës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë