Nga Gazeta Si- Kryeministri Edi Rama ka sqaruar takimet me ish-shefin e FBi-së, Charles Mcgonigal në Tiranë dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Duke folur në emisionin “Top Story”, shefi i qeverisë shqiptare mohoi që të ketë folur për biznes me ish-zyrtarin e lartë të FBI-së, duke bërë të ditur se Agron Nezajn ia prezantoi pikërisht McGonigal.
“Ish zyrtarin e lartë të FBI e kam takuar me kërkesë të tij. E kam pritur në zyrë. Kemi pasur një bashkëbisedim miqësor në terma të përgjithshëm. Më ka treguar që puna e tij ka në fokus influencën ruse. Kemi folur për rajonin dhe pastaj takimet e tjera kanë qenë takime që kanë ardhur si rezultat ose i pranisë së tij këtu ose i pranisë time në SHBA ku kam qenë në asamblenë e përgjithshme të SHBA. Nuk shoh asgjë të jashtëzakonshme në këtë marrëdhënie që është normale. Nuk është e vetmja që kam me përfaqësues agjencish të ndryshme. Dhe nuk kam pasur detyrim të lajmëroj askënd sepse është pjesë normale e detyrës sime”,tha Rama.
Ai u shpreh në mënyrë kategorike se nuk ka lidhje me zyrtarin amerikan apo ndonjë biznesmen.
“Ai ka ardhur së bashku me një qytetar shqiptaro amerikan që ma ka prezantuar si mikun e tij. Me mua nuk është folur kurrë për asnjë lloj përfitimi apo biznesi nga ana e zyrtarit të lartë të FBI”, shtoi ai.
Sa i përket këshilltarit të tij,Dorian Duçkës, e cilësoi se i takon të shkuarës, pasi nuk është më me punë në kryeministri.
“Këshilltari im pa pagesë i përket shumë viteve të shkuara. E kam njohur në kushtet e detyrës si zvministër i Energjisë dhe duke e shfrytëzuar si një njeri që ka njohje dhe kontakte”, shtoi Rama. Kryeministri hodhi poshtë dhe lidhjet e oligarkut rus me Shqipërinë. “Me oligarkun rus Shqipëria s’ka asnjë lidhje, qeveria jo, unë jo e jo. Asnjë rast nuk është folur për këtë personazh, përveçse tani së fundmi kur opozitat së bashku me mediat e tyre të propagandës, nxorën lidhje të kapjes së veshit mbrapsh fjalës me aktivitet në Shqipëri të kompanisë më të rëndësishme të flamurit austriak në botë që është kompania ‘Strabak’. Mësova që Oleg Deripaska paska pasur aksione, puna e tyre, nga e cila është larguar menjëherë pasi janë vendosur sanksione. Është njësoj si të them për shkak se ‘Strabak’ ka marrë miliona euro nga qeveria e mëparshme, e atyre që sot akuzojnë, atëherë ata kanë qenë të lidhur me oligarkun në fjalë, këtë s’mund ta them se është qesharake”, deklaroi Rama.
Shefi i mazhorancës sqaroi dhe arsyet se pse refuzoi të ishte i pranishëm në seancën e së enjtes kur opozita kishte thirrur një interpelancë urgjente.
“Por duke qenë se sot refuzova të jem dhe do vazhdoj të jem në një sallë të kuvendit dhe të përfshihem në debat me opozitat, që është në një nivel etik të frikshëm dhe më ka tërhequr dhe mua në atë nivel ndonjëherë. Nga ana tjetër ia vlen që në qetësi, të shpjegohen ato gjëra që mund të shpjegohem”, shtoi Rama.
Ndërsa nuk i kurseu akuzat ndaj opozitës për lidhjet me rusët.
“Duhet të pyesni ata që kanë preferuar të ndalen këtu dhe pse janë ndalur këtu. Kjo lidhet me faktin që në fund fare rasti është përkufizuar si një rast i mosdeklarimit të borxhit dhe mosdeklarimi i takimeve me të gjithë ata që ka takuar në Ballkan. Kompanitë për të cilat flitet janë kompani që kanë marrë peshqeshe dhe kontrata nga qeveria e mëparshme dhe në rastin e qeverisë sonë nuk kanë marrë asnjë lloj kontrate dhe nga ana tjetër qeveria nuk ka bërë asnjë peshqesh për asnjë kompani duke dhënë fusha nafte pa garë. Kemi bërë garë ndërkombëtare për çdo fushë. Janë kompani që kanë marrë copa Shqipërie pa garë nga qeveria e mëparshme. E vërteta e thjeshtë është që nuk ka asnjë implikim të asnjë natyre jo timin por e të asnjë zyrtar shqiptar se po të kishte do të ishte në aktakuzë”, deklaroi ai.
Shefi i qeverisë u shpreh se ishte njohur rastësisht me faktin se ishte në hetim ish-shefi i FBI-së e këtë e mësoi nga një gazetar amerikan. Gjithashtu ai bëri të ditur se do ta takonte sërish atë.
“Kjo është punë e drejtësisë amerikane dhe unë zyrtarin e lartë të FBI nëse më vjen me këtë funksion dhe me emër tjetër do e takoj prapë. Nëse më krijohen kushtet të pi dhe një kafe me të, do e bëj prapë. Se çfarë bën ai në punën e tij dhe jetën e tij nuk është puna ime”, tha Rama.
Njëherësh ai mohoi që drejtësia amerikane e ka nën hetim për këtë çështje.
“Unë nuk them që nuk kam ditur për këtë. Aktakuza nuk thotë asgjë lidhur me ndonjë implikim timin jo e jo, Aktakuza nuk flet për asnjë lloj korrupsioni të askujt. Nuk flet për korrupsion as për atë vetë. Nuk kam asnjë arsye të ndihem keq se në çfarë katandie është politika jonë e përditshme dhe deri ku shkon paturpësia politike për të marrë zvarrë elektoratin dhe ata që shpresojnë t’u merret vota duke u servirur një gënjeshtër. Aktakuza nuk thotë asgjë lidhur me ndonjë implikim tim jo e jo, por korruptiv. Asnjë lloj korrupsioni të askujt, as për atë vet. Flet për mos deklarim e mashtrim. Nuk kam asnjë lloj arsye, un ndihem keq në çfarë katandie është opozita. Deri ku shkon paturpësia për të marrë zvarrë elektroratin”, shtoi Rama.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.