Politike

Meta refuzoi Lleshin, por dekretoi Bendon pas 1 viti

Mentor Kasa  – Në orët e pasdites së të hënës ndodhi ajo që pritej prej më shumë se një viti. Presidenti Ilir Meta dekretoi në krye të Shërbimit Informativ Shtetëror kandidaturën e propozuar nga Kryeministri Edi Rama, që qëndronte në sirtaret e Presidencës prej tetorit të 2017.

Helidon Bendo është zyrtarisht kreu i ri i SHISH. Përmes dy dekreteve të shpejta, Presidenti Meta fillimisht e ka shkarkuar nga detyra e zv.drejtorit të këtij shërbimi dhe me një dekret të dytë e ka emëruar atë drejtor.

Ky pozicion mbetej bosh prej më shumë se një viti, që prej largimit të beftë të Visho Ajazi-Likës, që mori detyrën e ambasadorit të Shqipërisë në NATO.

Kur u propozua si pasaardhës i Visho Ajazi-Likës, Helidon Bendo mbante postin e zëvendësdrejtorit të Shërbimit Informativ Shtetëror dhe konsiderohej kandidatura e duhur nga Qeveria për të drejtuar këtë institucion.

Mosdekretimi i Ilir Metës nuk e shqetësoi Kryeministrin dhe sa Helidon Bendon që edhe pse në postin e zv.drejtorit ligji nuk e pengonte që të ushtronte kompetencat e plota të drejtorit të SHISH përsa kohë gëzonte mbështetjen e Kryeministrit.

Dekretimin e Bendos e përshëndeti edhe Edi Rama, në seancën e jashtëzakonshme të kësaj të marte. Ai mirëpriti vendimin e Presidentit.

“Jo pse populli thotë më mirë vonë se kurrë, por çdo reflektim pozitiv është për t’u përshëndetur, aq më tepër kur reflekton Presidenti i Republikës”, deklaroi Rama.

Por çfarë e bëri Presidentin Meta që të reflektojë pas një viti? Një ditë më parë, kur njoftoi emërimin e Sandër Lleshit zv.ministër të Brendshëm dhe thirrjen e Kuvendit në seancë të jashtëzakonshme, Kryeministri postonte në rrjetet sociale një “paralajmërim”.

“Por nuk mbaron me kaq. Për më shumë do t’i drejtohem Kuvendit nesër në orën 10”, shkruante ai.

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/1930217240605214/
Fjala e Kryeministrit Edi Rama kete te marte ne Kuvend

A ishin këto fjalë një paralajmërim për Presidentin dhe nëse po, për çfarë? Një përgjigje Kryeministri nuk e dha, por në fjalën e mbajtur para Kuvendit përforcoi këtë paralajmërim. “Uroj që krisja të mos jetë thyerje”, u shpreh ai.

Koha dhe rikthimi i Presidentit Meta në Shqipëri do të provojë nëse do të jetë krisje apo thyerje. Kreu i shtetit ka udhëtuar këtë të martë drejt Kalabrisë për të marrë pjesë në një aktivitet në kuadër të Vitit të Skënderbeut.

Kush është Helidon Bendo?

Helidon Bendo ka lindur më 12 maj 1971 në Korçë. Ai ka një përvojë 21-vjeçare në Shërbimin Informativ Shtetëror, ku ka mbajtur detyra të ndryshme si: Inspektor terreni, Kryetar Dege, Drejtor Drejtorie në disa Qarqe të vendit dhe Drejtor Drejtorie në Aparatin Qendror.

Kreu i SHISH u diplomua në 1993 për matematikë në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, ka një master në studime për sigurinë, si edhe një trajnim tremujor në fushën e sigurisë pranë Universitet George Town në SHBA.

Në CV-në e tij nuk mungojnë trajnimet në fushën e sigurisë si brenda ashtu edhe jashtë vendit. Kreu i SHISH është një njohës dhe folës shumë i mirë i gjuhës angleze dhe asaj greke.

Helidon Bendo është i martuar dhe ka dy fëmijë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë