20 janari është data e lindjes së njërit prej regjisorëve më të shquar të kinematografisë italiane dhe asaj botërore.
I vlerësuar me titullin “Kalorës i Kryqit të Madh OMRI”, Fellini u bë i njohur për stilin e tij të dallueshëm, i cili përmblidhte fantazinë, imazhet baroke dhe ato tokësore. Filmat e tij vazhdojnë të frymëzojnë dhe të influencojnë kineastët anembanë botës. Disa nga filmat e tij më të njohur janë “La Strada”, “Le Notti di Cabiria”, “La Dolce Vita”, “8½”, “Roma”, “Amarcord” e të tjerë.
Fellini pati 16 kandidatura për çmimet Oscar përgjatë karrierës së tij, duke arritur të fitonte 4 në kategorinë “Filmi më i mirë i huaj”, (më shumë se çdo regjisor tjetër në këtë kategori në historinë e Academy Awards).
Fellini lindi në 20 janar të 1920, në një familje të shtresës së mesme, në Rimini të Italisë. U pagëzua me emrin Federico Domenico Marcello Fellini.
Ngjarje të fëmijërisë e rinisë së hershme kanë lënë gjurmë dhe në filmat e tij, megjithatë Fellini insistonte se nuk ishte kujtesa ajo që dominonte në filmat e tij, por kënaqësia e të shpikurit të personazheve e ngjarjeve, e rishkrimit të fëmijërisë e ëndrrave. Vdiq në moshën 73-vjeçare, në Romë. (ATA)
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.