Lajme

Pas Ramës, Ruçi 60 minuta në zyrën e Metës

Kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi, ka zhvilluar një takim rreth 60 minuta në ambientet e Presidencës me kreun e shtetit, Ilir Meta.

Takimi Ruçi-Meta që u zhvillua në Presidencë erdhi me kërkesë të kreut të Kuvendit. Takimi erdhi fill pas vendimeve të fundit të maxhorancës, miratimin e dekretit të Presidentit Ilir Meta për shkarkimin e Fatmir Xhafajt nesër në një seancë të jashtëzakonshme si dhe emërimin e Sandër Lleshit zëvendësministër i Brendshëm. Besohet që këto dy çështje kanë qenë në qendër të bisedës. Por, zyrtarisht Presidenca njofton se temë bisede kanë qenë zgjedhjet e ardhshme lokale.

“Presidenti Meta e njohu Kryetarin Ruçi me konsultimet e zhvilluara prej tij për datën e zgjedhjeve të ardhshme lokale. Gjithashtu, Presidenti Meta i bëri me dije Kryetarit Ruçi zhvillimin e procedurave transparente për të ftuar kandidatët, të cilët kanë paraqitur interesin për Kreun e Kontrollit të Lartë të Shtetit, me qëllim përzgjedhjen e një kandidati të përshtatshëm dhe me integritet për këtë pozicion të rëndësishëm”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Ndërkohë, siç edhe shihet, pas takimit, kreu i shtetit është kujdesur ta përcjellë mysafirin deri te dera ku edhe e priste makina, ndryshe nga një ditë më parë, kur nuk e përcolli Ramën.

Paraditen e djeshme edhe kryeministri pati një takim 90-minutësh me presidentin Meta.

Ndërkohë, parlamenti pritet të mblidhet ditën e martë në një seancë të jashtëzakonshme në orën 10:00 për të votuar dekretin e presidentit Meta për shkarkimin e Fatmir Xhafaj, pas dorëheqjes së tij si ministër i Brendshëm.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë