Gazeta Si – Te Kombëtarja shqiptare e futbollit ka nisur era ‘Silvinjo’. Braziliani ka bërë sot prezantimin zyrtar bashkë me stafin e tij, ku bëjnë pjesë argjentinasi Pablo Zabaleta dhe braziliani tjetër Doriva. Trajneri i ri ka firmosur kontratën e re deri në vitin 2024.

Para se Silvinjo të fliste për aventurën që sapo ka nisur në krye të stolit të Shqipërisë, presidenti i FSHF-së, Armand Duka, ka falënderuar ish-trajneri Edi Reja parë atë që dha për 3 vjet me kuqezinjtë. Edhe trajneri italian, i pranishëm në prezantimin e Silvinjos, bëri një përmbledhje të punës së tij dhe u shpreh shumë i kënaqur për kohën që drejtoi Shqipërinë.
Më pas ishte momenti i prezantimi të trajnerit të ri, i cili mes të tjerash theksoi: “Jam i kënaqur bashkë me stafin tim që jemi këtu. Kas shumë punë përpara, duhet të bëjmë disa zgjedhje të vështira. E falënderoj Rejën për punën që ka bërë. Për zemrën, për pasionin. Kemi dëshirë ë bëjmë mirë, që ta çojmë këtë Kombëtare në vendin e duhur. Për këtë arsye jemi këtu.
Kur takova presidentin Duka këtë pashë tek ai. Mendoj se ai pa te ne urinë dhe dëshirën për rezultate pozitive, për t’i dhënë këtij projekti vazhdimësinë. Federata shqiptare më bindi të merrja përsipër këtë punë. Futbolli duhet të qëndrojë në zemrat dhe shpirtin e njerëzve. Më pas do të shohim për skemat dhe modulet e lojës.
Futbolli ndryshon, në futbollin e niveleve të larta gjithçka ndryshon. Jemi këtu për të dhënë maksimumin. Para pak kohe u luajt Botërori, që la shumë mesazhe të rëndësishme sa i përket metodave të lojës. Gjithashtu, na la dhe mesazhin që futbolli është sakrificë, djersë dhe mund.
Grupi ynë kualifikues është shumë i ekuilibruar. Nuk do të jetë e lehtë, por duam të kualifikohemi. Do të punojmë fort për këtë objektiv. Dy ndeshje miqësore të Shqipërisë i kam parë. Kam punuar me Rei Manajn kur ishte pjesë e Interit. Kombëtarja shqiptare ka futbollistë të rëndësishëm. Do të nisim punën në Tiranë.
Kemi futbollistë të rinj. Në këtë pjesë kemi shumë për të bërë. Mendoj se është një Kombëtare e rëndësishme. Doja të përmendja dy futbollistët që janë të dëmtuar, Brojën dhe Bare, i uroj të kthehen sa më shpejt.
Kam ardhur t’i jap vazhdimësi punës së Rejës dhe më pas do t’i japim gjërat tona. Fillimisht do të zhvillojmë një miqësore. Normalisht në kombëtare duhet të sjellësh rezultate. Ne duam që të japim idenë e duhur për futbollin, duhet të jemi me mendje drejt objektivit. Duhet të kemi zemrën dhe shpirtin në fushë.
Jam një njeri që më pëlqejnë sfidat. Mendoj se do të ndihem mirë në këtë projekt. Nuk i dihet asnjëherë, nëse ke bërë zgjedhjen e duhur apo të gabuar. Një trajner ecën përpara me një projekt. Në Botërorin e fundit Argjentina fitoi me një trajner të ri dhe të zotin. Mund të flas për atë trajner dhe stafin e tij. Përpara këtij Botërori ai nuk kishte rezultatet të tjera. Mendoj se duhet të punojmë me përgjegjshmëri të lartë.
Jam njeri me fat, sepse kam punuar me Vengerin, Guardiolën, Mançinin, Titen. Duhet të bësh gjërat që t’i beson, kam respekt për Mançinin por dua të bëj atë që besoj dhe dua vetë. Ajo që nuk pranoj unë është se lojtarët duhet të bëjnë më shumë në fushë, çdo lojtar duhet të japë shpirtin në fushë”.

Shkurt ka folur Zabaleta, i cili u shpreh se në Shqipëri ka parë të njëjtën gjë si në vendin e tij, pasion të madh për futbollin. Argjentinasi theksoi se me shumë punë dhe dëshirë stafi i ri teknik mund të bëjë diçka të madhe me kuqezinjtë.
Trajneri Silvinjo dhe stafi i tij do të jetojnë në Shqipëri, ndryshe nga trajnerët e tjerë të huaj. Sa u takon pjesëtarëve shqiptarë të stafit, mbetet gjithçka për t’u parë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




