Kombetarja

Vetëm Ismajli i palëvizshëm, kuqezinjtë e tjerë të Italisë ngrohin stolin

Kristjan Asllani në stol, Marash Kumbulla, Berat Gjimshiti, Elseid Hysaj, Etrit Berisha dhe Nedim Bajrami po ashtu. Vetëm Adrian Ismajli e nisi vitin 2023 si titullar në Serinë A nga lojtarët e Kombëtares. Lojtari i Empolit konfirmoi formën e mirë që po kalon gjatë gjithë këtij sezoni. Të tjerët kanë humbur kreditet në klubet e tyre.

Përveç Ismajlit, titullar ka qenë edhe Berat Gjimshiti me Atalantën, por ky vit nuk nisi mirë për të. Gjimshiti qëndroi në stol për 90 minuta në barazimin 2-2 me Specian. Asnjë minutë aktivizim nuk patën në ndeshjen e parë të 2023-shit as Kumbulla, Asllani, Hysaj e Berisha.

Gjimshiti me fanellen e Atalantes. Gazeta Si, 5 janar 2023

Nedim Bajrami u aktivizua 20 minuta në fundin e ndeshjes me Udinezen, ku Empoli barazoi 1-1. Ismajli ndërkohë mbetet një pikë kyçe në mbrojtjen e skuadrës së tij. Ai ka besimin e palëkundur të trajnerit Zaneti dhe ka treguar një rritje të vazhdueshme të nivelit.

Për kuqezinjtë e tjerë, ngrohja e stolit është problem. Po të kemi parasysh edhe dëmtimet e Armando Brojës dhe Keidi Bares, trajneri i ri i Kombëtares, Silvinjo, do ta gjejë skuadrën jo në nivelin që do të dëshironte. Mungesa e aktivizimit ndikon drejtpërdrejt në formën e lojtarëve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë