Jete & Stil

Shqiptarët flenë më shumë se kushdo në botë

Nëse dëshironi të flini më shumë, përpiquni të punoni më pak, të hani më mirë dhe të ushtroni më shumë. Ose mund të emigroni në Shqipëri.

Pak më shumë se 7 orë, kjo është koha që kalon një person mesatar duke fjetur çdo natë, sipas një studimi të ri.

Kjo mesatare ndryshon nga faktorë të ndryshëm, duke përfshirë moshën, arsimin, gjininë dhe gjeografinë. Japonezët dhe aziatikët në përgjithësi flenë më pak se mesatarja globale. Më ‘gjumashët’ janë shqiptarët. Më pas vjen Sllovakia, Rumania, Republika Çeke dhe Ukraina.

Gjumi, ka thënë Shekspiri, është “pjata kryesore në festën e jetës”. Por, se sa kohë na duhet çdo natë për t’u ngopur me gjumë, varet nga shumë variabla, ndër to edhe mosha.

Një artikull i kohëve të fundit në Nature përshkruan atë që është ndoshta studimi më i madh global mbi kohëzgjatjen e gjumit dhe tregon tre faza të dallueshme tek ata që flenë në të gjithë botën, që korrespondojnë me moshën.

Normat kulturore dhe gjerësia gjeografike

Mesatarisht, femrat flenë 7.5 minuta më shumë se meshkujt.

Çuditërisht, gjeografia është gjithashtu një faktor. Ndërsa kohëzgjatja mesatare botërore e gjumit është pak më shumë se 7 orë, mesatarja në nivel vendi ndryshon me pothuajse një orë. Nga 63 kombësitë e hulumtuara, shqiptarët flenë më gjatë, mesatarisht 7 orë e 32 minuta në natë. Kjo është dukshëm më shumë se mesatarja e japonezëve, të cilët flenë  6 orë e 38 minuta gjumë.

Çfarë e shpjegon ndryshimin? Sipas studiuesve, kjo është për shkak të normave kulturore dhe gjerësisë gjeografike.

Si shembull i të parës, artikulli citon dremitjen në vendin e punës, i cili “mund të jetë i keq në disa vende (SHBA ose Francë), ndërkohë që konsiderohet normale nga fqinjët e tyre (si Spanja ose Italia). Gjithashtu, “Vendet e Lindjes së Largët, në veçanti Japonia, janë vërejtur të raportojnë më pak gjumë. Kjo mund të shpjegohet pjesërisht me kulturën e punës në këto vende, ku Japonia është i vetmi vend në botë ku 25% e punëtorëve të punësuar punojnë më shumë se 50 orë në javë.

Dhe si shembull i faktorit gjeografik, studiuesit i referohen një studimi të mëparshëm që tregon një divergjencë në kohëzgjatjet e gjumit në Kili, një vend veçanërisht i përshtatshëm për të studiuar dallimet. Ky studim zbuloi se kohëzgjatja mesatare e gjumit në ditët e punës ishte 7 orë e 55 minuta në veri dhe 8 orë 20 minuta në jug. Me fjalë të tjera: Kilianët më afër ekuatorit flenë më pak se bashkatdhetarët e tyre kudo në vend.

Ky studim dha rezultate paksa të ndryshme nga ai aktual, që tregon se një person mesatar i afrohet sasisë mesatare globale të gjumit. Sidoqoftë, ndryshimi kilian përputhet me gjetjet në studimin global, të cilat tregojnë gjithashtu “një korrelacion pozitiv midis kohëzgjatjes mesatare të raportuar të gjumit në nivel vendi dhe distancës së tyre nga ekuatori”.

Gjithsesi, ekspertët thonë se nuk ka një faktor të përgjithshëm që tregon fiks se pse njerëzit në disa vende flenë më shumë se në vende të tjera.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë