Kombetarja

Braziliani Silvinjo më afër stolit të Kombëtares, pritet vetëm zyrtarizimi

Gazeta Si – Pas ‘epokës’ së italianëve, në stolin e Kombëtares shqiptare të futbollit pritet të ulet një brazilian. Silvinjo, ish-futbollist i Brazilit dhe disa prej klubeve të njohura europiane, si Arsenal, Barcelona dhe Mançester Siti, ka fituar kuota së fundi, aq sa zyrtarizimi i tij duket një formalitet.

Braziliani ka parakaluar argjentinasin Estaban Kambiaso dhe disa kandidatë të tjerë, si kolumbiani Rueda dhe italianët Di Biaxho, Odo dhe Kamoleze.

Silvinjo dhe Tite, kur drejtonin Brazilin. Gazeta Si, 30 dhjetor 2022

Silvinjo, 48 vjeç, ashtu si Kambiaso, ka pak përvojë në fushën e trajningut. Ai ka qenë pjesë e stafit të Brazilit në kohën e Tites, trajnerit të larguar nga stoli i Seleçaos pas dështimit në Botërorin e Katarit. Si trajner i parë braziliani ka pasur vetëm një eksperiencë disamujore te Lioni në Francë.

Fjalën e fundit do ta thotë presidenti i FSHF-së, Armand Duka, i cili duket se parapëlqen pikërisht Silvinjon. Pak ditë më parë kreu i FSHF-së tha se trajneri i ri i Kombëtares nuk do të jetë italian, duke lënë të kuptohej se mund të ishte Kambiaso, me të cilën ishte takuar në Tiranë. Por është një tjetër amerikano-jugor, braziliani Silvinjo, nëse planet nuk ndryshojnë në sekondat e fundit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë